Maldivet janë një nga destinacionet më të ëndërruara të pushimeve në botë dhe një zgjedhje popullore për çiftet që kalojnë muajin e mjaltit, shkruan Esther Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Mail”.
Por, ishujt ka të ngjarë të kenë çmime mjaft të larta, veçanërisht pasi shumica e opsioneve të akomodimit janë resorte luksoze.
Megjithatë, nëse kostoja e ishujve shkon përtej buxhetit tuaj, ekziston një destinacion evropian ku mund të përjetoni një ndjesi të ngjashme – por me shumë më pak para.
Ekspertët e udhëtimeve thonë se turistët do të gjejne “Maldivet e Evropës” në vendin më të përballueshëm, Shqipëri.
Ata rekomandojnë Ksamilin, një fshat bregdetar magjepsës në Shqipëri, si një alternativë buxhetore kundrejt Maldiveve.
Gjithashtu, turistët thonë se ky vend turistik është një “version” më i lirë i Maldiveve.
Ekspertët vlerësojnë ujërat e kristalta dhe plazhet me rërë të bardhë të Ksamilit – duke e përshkruar atë si “vendin më marramendës”.
“Lonely Planet” e ka cilësuar Ksamilin si vendin me disa nga plazhet më të mira në Shqipëri.
“Në jug të Sarandës, kryeqytetit jozyrtar të Rivierës Shqiptare, dhe në një distancë të shkurtër nga kufiri grek, Ksamili ka një vendndodhje të shkëlqyer”, thonë ekspertët.
Ju mund të notoni ose të bëni një udhëtim me varkë në tre ishujt e vegjël në gjirin e tij ngjyrë bruz – ku ka më pak turistë sesa në plazhet e zhurmshme të Sarandës.
Plazhi më i vlerësuar i Ksamilit në “Tripadvisor” është “Ohana Beach Bar”, i cili ka një vlerësim prej 4.4 nga 5 yje.
Turistët gjithashtu mund të eksplorojnë një pikë referimi historike të jashtëzakonshme ndërsa ndodhen në Ksamil.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është vetëm 17 kilometra nga fshati bregdetar.
Rrënojat e lashta janë më shumë se 2,500 vjeçare dhe përfshijnë një teatër të epokës helenistike dhe monumente të hershme të krishtera.
Pushimet në Ksamil kushtojnë shumë më pak sesa në Maldive.
Sipas “Wise”, kostoja mesatare e një vakti në një restorant të lirë në Shqipëri është vetëm 1,000 lekë/8,50 paund.
Ndërkohë, një birrë vendase kushton vetëm 249 lekë/2,13 paund dhe një kapuçino kushton vetëm 164 lekë/1,40 paund.
Për të arritur në Ksamil nga Britania e Madhe – turistët britanikë do të duhet të fluturojnë për në Tiranë, Shqipëri ose për në Korfuz, Greqi.
Fshati i Ksamilit është rreth katër orë larg me makinë nga Tirana, ndërsa turistët mund të marrin një traget nga Korfuzi për të arritur atje.
Udhëtimi me traget zgjat rreth gjysmë ore në Sarandë, një vendpushim bregdetar popullor, që është më pak se 30 minuta larg Ksamilit.
Ksamili është destinacioni evropian që përshkruhet si një alternativë më e lirë ndaj Maldiveve. /ATSH/