Conference League/ Ballkani beson ende te kualifikimi

Skuadra e Ballkanit të Suharekës do të ketë këtë të enjte ndeshjen e pestë në fazën e grupeve të UEFA Europa Conference League (UECL). Të besuarit e Ilir Dajës do të përballen me çekët e Slavia Praha-s në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, duke filluar nga ora 21:00.

Takimi i parë mes tyre pa Slavia-n të fitonte një rezultat të ngushtë 3-2 në shtëpi. Të pestë golat erdhën në pjesën e parë të takimit.

Ermal Krasniqi kaloi miqtë fillimisht në avantazh në atë ndeshje, para se portieri korçar, Stivi Frashëri të shënonte autogol dhe gjithçka të barazohej. Skuadra nga Kosova do të gjente golin e dytë me Meriton Korenicën, që do i sillte përsëri avantazhin.

Megjithatë, vendasit do të realizonin dy herë për të arritur përmbysjen e ndeshjes. Fillimisht barazuan me golin e ish-lojtarit të Bylisit dhe Skënderbeut në Superioren e Shqipërisë, Peter Olayinka dhe më pas kaluan në avantazh me golin e Lukas Masopust.

Gjyqtari kryesor i takimit të sotëm është caktuar danezi, Morten Krogh. 34-vjeçari është pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s që nga viti 2019. Ndërsa në vitin 2016, ai gjykoi për herë të parë një ndeshje në ligën kryesore të Danimarkës.

Me vetëm tre pikë që ndajnë dy të parat nga dy të fundit në Grupin G, Ballkani i vendit të katërt dhe Slavia e vendit të tretë kanë nevojë për një fitore për ta vendosur veten në tablonë e progresit.

Nëse ndeshja tjetër në Grupin G ndërmjet Sivasspor dhe CFR Cluj përfundon në barazim, kushdo që humbet këtë përballje do të eliminohet. Kështu që kampionët e Kosovës, Ballkani do të shpresojnë në një rezultat pozitiv për të zgjatur fushatën e parë evropiane të tyre.

Triumfi i vetëm deri më tani për Ballkanin ishte një fitore 4-3 në Turqi ndaj Sivasspor-it., Megjithëse ata ende nuk kanë fituar në shtëpi, pavarësisht se kanë kaluar në epërsi në pjesën e parë në të dyja ndeshjet e tyre të grupit.

Mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi ka kontribuar në katër gola në katër paraqitjet e tij të fundit në garat evropiane (dy gola, dy asistime), por objektivi i tij kryesor do të jetë të pengojë Peter Olayinka të Slavia-s të shënojë.

Një fakt interesant është se asnjë ekip në tetë grupet e UECL nuk ka shënuar më shumë se Ballkani në katër ndeshjet e para, 17 (mesatarisht 4.25).

Pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit të Ballkanit në të gjitha garat kanë parë që të dyja skuadrat të gjejnë rrjetën.

Slavia ka arritur vetëm dy fitore nga 13 ndeshjet e fundit evropiane jashtë vendit që nga sezoni i kaluar. Ndërsa, tre ndeshjet e fundit të tyre në të gjitha garat kanë prodhuar tre ose më shumë gola. /Albanianpost.com

Read Previous

Njihuni me njeriun që qëndroi president për vetëm 45 minuta

Read Next

Sot zhvillohen ndeshjet e pesta të grupeve në Ligën e Evropës, shumë skuadra kërkojnë kualifikimin