Eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg, Konrad Clewing, paralajmëron të mos bëhen të njëjtat gabime si me Ukrainën, derisa ka kërkuar që Kosova të pranohet në NATO.
Por, sipas tij, në planin afatgjatë, këto dy pika nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur gjendjen e konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Dhe kjo është arsyeja pse duhet gjetur një zgjidhje e mirëmenduar dhe e qëndrueshme për të garantuar sigurinë e jashtme të Kosovës. Dhe këtë e shoh vetëm në perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha Clewing për DW.
Megjithatë, ai thkeson se në terma afatshkurtër “nuk shoh një kërcënim të veçantë, sepse KFOR-i i udhëhequr nga NATO mund ta stabilizojë situatën për momentin”.
“Por unë shoh një problem të madh në faktin se përshkrimi i misionit të KFOR-it, i cili rrjedh nga një rezolutë e OKB-së e vitit 1999, nuk e përfshin aspak mbrojtjen e sigurisë së jashtme të Kosovës”.
Ai konsideron që detyra kryesore është krijimi i një mjedisi paqësor dhe i lirisë së lëvizjes brenda Kosovës.
“Ndryshe nga NATO, BE-ja nuk ofron një sistem sigurie për anëtarët e saj. Sipas mendimit tim, dialogu i koordinuar nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk është masa e duhur për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje në mënyrë afatgjate. Sepse kjo është çështje e politikës së sigurisë”.
“A ka të drejtë Serbia të mohojë ose luftojë ekzistencën e shtetit të Kosovës, a ka të drejtë Kosova të bëjë kontrolle kufitare dhe të kërkojë që qytetarët e saj, përkatësisht qytetarët e Kosovës, të pranojnë dhe përdorin dhe posedojnë dokumente nga Kosova, së paku për nevojat që kanë në marrëdhëniet me shtetin e Kosovës. Dhe mendoj se kjo kërkesë nuk është as joreale dhe as e gabuar”.
Ai shton se si atdheu i serbëve të Kosovës apo si fuqi mbrojtëse e serbëve të Kosovës, Serbia ka të drejtë të sigurojë që veprimet e shtetit kosovar të mos kërcënojnë ekzistencën e serbëve të Kosovës.
“Por ajo që Kosova dëshiron të zbatojë këtu nuk është kërcënim për ekzistencën e saj. Është Serbia ajo që e paraqet si të tillë. Ishte një temë e madhe mediatike se Kosova gjoja po përgatitej të dëbonte serbët e Kosovës më 1 gusht”.
Clewing, mendon se kjo është në fakt një akuzë groteske dhe tregon gjithashtu se Serbia me të vërtetë nuk duhet trajtuar si një shtet i zakonshëm demokratik në propagandën e saj të brendshme dhe të jashtme dhe në kontrollin e saj mediatik, por ka shumë ngjashmëri me Rusinë përsa i përket përgatitjes së opinionit dhe operon me gënjeshtra.
“Kjo gjë përhap panik tek serbët e Kosovës dhe i përdor ata për t’i bërë më të bindur ndaj qeverisë. Situata e kësaj fundjavë duhet të jetë vërtet një shenjë paralajmëruese për qeverinë gjermane që të mos kthehet në ato linjat e vjetra të mosmarrjes seriozisht të rreziqeve”. /Albanianpost.com