Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar sërish me rastin e Faton Hajrizit, ku tha se ende ka diskutime nëse është vrarë apo jo.
Haxhiu ka bërë edhe një ndërlidhje të këtij rasti me kontratat që Serbia nënshkroi për litiumin.
“Në rastin e fundit, ende ka diskutime nëse është vrarë ose jo, nëse është trupi i Faton Hajrizit sepse Serbia refuzon të japë informacione për këtë. Rasti ka ndodhur në prag të nënshkrimit të kontratave të për litiumin. Vendi ku dyshohet se ka ndodhur vrasja e policit dhe plagosja e një tjetrit është 9 kilometra rreth vendi ku planifikohet që të ndërtohen minierat dhe për të kundërshtuar kontratën me litiumin ka pasur paralajmërime për protesta të mëdha atje dhe momenti kur ka ndodhur ky rast, ajo zonë është rrethuar komplet, rrjedhimisht ka pamundësuar që të ketë reagime qytetare. Tash shtrohen shumë pyetje. Pse bash atë ditë dhe në atë zonë. Çka ka kërkuar Faton Hajrizi në atë pjesë”, ka thënë Haxhiu në KTV.
Lidhur me arratisjen e Hajrizit nga Burgu i Smrekonicës, Haxhiu ka drejtuar akuza ndaj Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për neglizhencë.
Ajo tha se është dashur të kërkohet intervenimi i i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, meqë prokurori s’ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, duke u arsyetuar se ka punë të tjera.
Duke folur lidhur me këtë rast, Haxhiu përmendi një telefonatë që ka pasur Faton Hajrizi me dikë para arratisjes.
“Jam alarmuar në task forcën që kemi themeluar kur kam kuptuar se prokurori në Mitrovicë nuk po ndërmerr veprime me arsyetimin se kam punë të tjera. Kështu më është thënë, kështu po them edhe une. Kemi shkuar te Kryeprokurori Besim Kelmendi, kemi alarmuar se kemi rastin e Faton Hajrizit , prokurori nuk po nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve. Më pas ka pasur lëvizje nga prokurori. Ne kemi kuptar se ka pasur një telefonatë nga Smrekonica me Faton Hajrizin, dikush ka folur në telefon, para se të arratisej. Institucioneve gjegjëse po atë ditë iu është nevijtur informacioni se kush është numri kontaktues për të kontaktuar me të e për ta ditur kush është personi dhe prokurori s’ka vepruar me I leju lejuar që të japë qasje në listën e numrave të telefonit. Është dashur të veprojmë ne në takim në mënyrë që të lëvizë Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Një neglizhencë në raste të tilla, e dështon një rast”
Ajo ka folur edhe për deklarimin e saj mbi Hajrizin për të cilin është intervistuar nga Prokuroria.
“Unë s’kam thënë se Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës, por organet gjegjëse sugjerojnë ashtu. Kush do ta kuptojë ashtu, unë s’kam çfarë t’i bëjë”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, ndërlidhjen e rastit të Faton Hajrizit me kontratat që nënshkroi Serbia, e ka bërë fillimisht konspiracionisti kosovar, Arianit Sllamniku.
Në emisionin ‘Kosova Today’ të hënën, Sllamniku është shprehur se e gjithë kjo situatë ka ndodhur me tendencë të Serbisë për të larguar vëmendjen nga nënshkrimi i marrëveshjes mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për partneritetin strategjik për lëndët e para.
Sipas tij, Loznica, vendi ku ka ndodhur vrasja e policit serb, i është falur gjermanëve sepse në këtë regjion ka minerale të litiumit, që shërben si lëndë e parë për prodhimin e baterive.
“Në ditën e vrasjes së policit serb, është bërë nënshkrimi i marrëveshjes Scholz, bundes-kancelarit gjerman dhe Vuçiq. Në ditën e nënshkrimit. Pse Loznica? Sepse nënshkrimi ndërmjet Scholzit dhe Vuçiqit ka ndodh pikërisht koncesioni për Loznicën. Loznica duhej falur dhe iu ka falur gjermanëve. Loznica iu ka falë gjermanëve, sepse është regjion që ka minerale të litiumit, lëndën e parë për prodhimin e baterive. Kjo është punë e shërbimeve sekrete serbe”, është shprehur Sllamniku.