Liban/ Izraeli ekzekuton komandantin e lartë të Hamasit
Ushtria izraelite ka kryer një sulm ajror në një kamp refugjatësh në Liban, duke ekzekutuar edhe komandantin e lartë të Hamasit, Saeed Attallah Ali. Ai, bashkëshortja dhe 2 vajzat e tyre mbetën viktima të bombardimeve në strehën ku qëndronin, në kampin “Bedavi”. Hamasi shprehu keqardhje për komandantin dhe u shpreh se që prej fillimit të luftës në Gazë, më 7 tetor 2023, janë vrarë 18 komandantë dhe anëtarë të tij.
Rishtazi, ushtria izraelite eliminoi edhe një tjetër udhëheqës në Liban, Fatah Sharif Abu al-Amine, i cili ishte po ashtu udhëheqës i Hamasit. Ai strehohej në jug të Libanit. Sulmet e shumta të Izraelit duket se po shënjestrojnë udhëheqësit e grupimeve të ndryshme në Liban, Jemen e Gaza. Deri më tani, ushtria izraelite ka shënuar sukses në eliminimin e udhëheqësve nga të trija grupet.
Gaza/ Dhjetëra të vdekur nga sulmi izraelit në xhami
19 persona kanë ndërruar jetë në mëngjesin e ditës së sotme (6 tetor 2024), pasi Izraeli kreu një sulm ajror në një xhami në Gaza, duke shtuar kështu bombardimet dhe sulmet në veri të Gazës dhe në jug të Libanit. Në xhami po strehoheshin personat e zhvendosur nga banesat e tyre.
Izraeli u shpreh se ka shënjestruar një qendër që kontrollohej dhe komandohej nga Hamasi, por nuk dihet vërtetësia e këti pretendimi. Xhamia gjendej pranë spitalit kryesor në zonën Deir-al-Balah dhe sulmi ka bërë që njerëzit të zhvendosen sërish, për të gjetur një tjetër “zonë të sigurt”.
Lufta Rusi-Ukrainë/ Ukraina pretendon se Rusia ka ekzekutuar 93 të burgosur
Ukraina ka paraqitur prova e dokumente se Rusia ka ekzekutuar 93 të plagosur ukrainas të luftës. Yuriy Belousov, zyrtar i ngarkuar me hetimin e krimeve të luftës së Rusisë nda Ukrainës, bëri me dije dokumentin dhe shifrat shqetësuese.
“Kemi informacion për vdekjen e 93 ushtarëve tanë që u ekzekutuan në fushën e betejës,” tha Belousov, duke shtuar se 80% e ekzekutimeve u regjistruan këtë vit. Sipas tij, ato filluan të rriteshin në nëntor, kur u ashpërsuan edhe qëndrimet e ushtarëve rusë kundrejt robëve të luftës.
Peru/ Gjendet vendi ku sakrifikoheshin fëmijë
Në një territor afër Trujillo-s, në veri të Perusë, u zbuluan eshtrat e dhjetëra fëmijëve, të cilët besohet se janë sakrifikuar më shumë se 600 vite më parë. Arkeologët kanë bërë zbulimin e madh, duke hedhur kështu dritë mbi praktikat e besimeve të hershme dhe ritualeve që ata kryenin për të nderuar perënditë.
Arkeologu Julio Asencio deklaroi se shumë prej këtyre skeleteve kishin prerje në kraharor dhe ca të tjerë në brinjë. Ai u shpreh se këto janë prova të sakrificave rituale. Fëmijët janë varrosur veçmas. Një dekadë më parë, u zbulua edhe një tjetër zonë ku pretendohet se janë kryer gjithashtu sakrifica masive. 140 fëmijë u gjetën me të njëjtat shenja dhe mendohet se atyre u ishte hequr zemra./anabel