Afganistan/ Talebanët festojnë përvjetorin e marrjes së pushtetit me dhunë dhe terror
Talebanët kanë mbushur rrugët e Afganistanit, duke festuar përvjetorin e tretë të marrjes me dhunë e terror pushtetin në vend. Ata kanë festuar me parada ushtarake, ndërsa vendi po përjeton një krizë të thellë humanitare. Talebanët e morën kontrollin më 15 gusht 2021, pasi SHBA tërhoqi forcat dhe largoi liderët e saj nga Afganistani.
Qeveria talebane, menjëherë nisi të bënte terror, duke e rimarrë sërish pushtetin. Kjo qeveri nuk njihet nga asnjë vend në botë, pavarësisht se talebanët kanë kërkuar shpeshherë që të njihet pushteti i tyre. Trupat talebane u ngjitën në pushtet pas 20 vitesh, për ta ndryshuar totalisht Kabulin dhe jo vetëm.
Në kursin e 2 ditëve, gjithçka ndryshoi, gratë u dhunuan dhe u detyruan të vishen sipas rregullave talebane, duke ndjekur një ‘manual’ strikt dhe radikal, i cili u ndalon vajzave dhe grave edukimin dhe jetesën e lirë në Afganistan.
Indi/ Protesta masive për përdhunimin dhe vrasjen e mjekes
Një mjeke praktikante 31-vjeçare u përdhunua dhe u vra në një spital në Indi. Ajo shkoi për të fjetur pas një dite të gjatë në Kolegjin Mjekësor në Kolkata, ku u gjet gjysmë e zhveshur dhe në trupin e saj kishte lëndime të shumta.
Policia arrestoi një punëtor vullnetar, i cili dyshohet se e ka përdhunuar dhe vrarë 31-vjeçaren. Ngjarja e kobshme solli protesta të shumta në vend, ku vajzat dhe gratë kanë ngritur zërin dhe kanë marshuar nëpër rrugë për të jetuar të lira dhe pa frikë në vendin e tyre.
Dhunimi i stafit mjekësor është një ndër problemet e shumta me të cilat haset India. Gratë në mjekësi ofendohen dhe dhunohen shpesh edhe nga familjarët e pacientëve.
Gaza/ OKB dënon sulmin në shkollë
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dënuan sulmin që ushtria izraelite bëri ndaj një shkolle ku strehoheshin njerëzit e zhvendosur. Nga sulmi ndërruan jetë rreth 100 palestinezë, u plagosën dhjetëra të tjerë dhe disa janë ende në kërkim. Kina dhe Rusia fajësuan SHBA-në për sulmin, me pretendimin se vendi mbështet dhe furnizon me armë Izraelin.
Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB dënoi sulmin dhe ceku edhe dhunën seksuale që ushtarët izraelitë kanë kryer kundrejt të burgosurve palestinezë në burgjet në Izrael. Ndërsa përfaqësuesi i Rusisë, Dimtry Polyanskiy u shpreh thellësisht i tronditur.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe James Kariuki, përfaqësuesi i përhershëm i Britanisë së Madhe, duke thënë se është i tmerruar nga sulmi ushtarak në shkollën ku strehoheshin civilët.
Japoni/ Kryeministri do të japë dorëheqjen, pas ankesave të popullit
Fumio Kishida, kryeministri i Japonisë, do të japë dorëheqjen në muajin gusht, për shkak se qytetarët janë të pakënaqur me qeverisjen e tij, skandalet politike dhe rritjen e kostove të jetesës. Kishida, në një konferencë për media, njoftoi edhe vendimin për të mos kandiduar sërish për t’u vendosur në krye të Partisë Liberale Demokratike.
Ai u shpreh se politika nuk funksionon dot pa besimin e popullit dhe se ky vendim i vështirë vjen pasi ai ka menduar për japonezët dhe për të ardhmen. Pasi Kishida mori detyrën në vitin 2021, u zbuluan lidhjet e partisë së tij me Kishën e Unifikimit, një institucion kontrovers në Japoni. Më tej, u rrit pakënaqësia pasi Kishida nuk i rriti pagat, ndërkohë që kostot e jetesës u rritën.