Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e fundit ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022. Të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 364 milionë euro. Disa nga vendimet që i bëri të ditura Kryeminstri Kurti përfshijnë ndarjen e 45 milionë eurove për të mbështetur nënat lehona dhe shtesat për fëmijët, studimet falas për të gjithë studentët, gjithashtu dhe shtimin e 35 milionë eurove në pensione dhe skema sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro. Ndërkaq për sigurimin e barnave esenciale do të këtë buxhet shtesë në vlerë 24 milionë euro.
100 milion euro janë ndarë për herë të parë dhe për Ushtrinë e Kosovës. Qytetarët ndërkaq janë shprehur se vendimet ishin të qëlluara por gjithsesi duke shpresuar edhe për vendime të tjera.
Edhe pensionistët e kanë mirëpritur një vendim të tillë, duke u shprehur vendime të kësaj natyre do të përmirësojnë mirëqenien e secilit qytetar.
Projektbuxheti i vitit 2022 ka për qëllim konsolidimin e ringjalljes ekonomike, sigurimin e qëndrueshmërisë së financave publike, riorientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, si dhe përkrahjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ka bërë të ditur Kryeministri Kurti.