I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot pritet të jetë në zyrë te kryeministri Kurti.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, gjatë ditës së djeshme konfirmoi takimin për gazetën online Reporteri.net, por duke mos bërë të ditur orën e takimit të kryeministrit Kurti me emisarin amerikan.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar, po zhvillon një vizitë dyditore në Kosovë. Ai duke nisur nga orët e mëngjesit të së mërkurës pati takime me eksponentë në Prishtinë. Fillimisht u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, më pas, edhe me liderët opozitarë, Memli Krasniqin nga Partia Demokratike, Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike dhe Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në krye të fjalimit të tij, Escobar i kushtoi disa fjalë presidentes Osmani. Atë e quajti garantuesen kryesore të marrëdhënieve Kosovë-ShBA.
“Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni garantuesja kryesore dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe faleminderit për këtë. Dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. Pra, ne do të vazhdojmë t’i thellojmë marrëdhëniet tona në të gjitha linjat e interesave”, tha Escobar në konferencën për media.
Në kohën kur Escobar po zhvillonte takim me presidenten Osmani, në anën tjetër, kryeministri Kurti njoftoi se i ka kërkuar Agjencionit të Kadastrit që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit.
Ky lajm u përshëndet nga Escobar, për të cilin emisari amerikan tha se ishte vendim i vështirë për Kosovë, por i domosdoshëm.
“Dua të përmend se sa shumë është i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastrin, ky ishte vendim i vështirë, por hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha Escobar.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Në ora 19:00 diplomati amerikan pati takim me përfaqësuesit e opozitës.
Pas takimit me opozitën, kreu i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se komunikimi me aleatët strategjikë “është i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës”.
Ai tha se gjatë takimit me Escobarin kanë biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për vizionin “për një të ardhme më prosperuese” për shtetin.
“Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-në, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik”, shkroi Krasniqi në rrjetin social Facebook.
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në takim ka kërkuar që të rritet niveli i raporteve dypalëshe Kosovë-ShBA.
“Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe Qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleaten tonë strategjike dhe të përjetshëm, SHBA-në”, shkroi ai në Facebook.
Gjatë vizitës së tij, Escobar është takuar me opozitën dhe përfaqësuesit e komunitetit serb për çështjen e dinarit serb.
Emisari amerikan, në prag të mbërritjes në Kosovë, tha se në fokus të vizitës do të ketë “një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin serb”.
Ai po ashtu u shpreh se kanë probleme komunikimi me kryeministrin Kurti.
“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin e Kosovës, dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Escobar në Bruksel në një konferencë për gazetarët, të mbajtur online.
Temë diskutimi në takimin e sotëm me kryeministrin Kurti pritet të jetë edhe vendimi për Manastirin e Deçanit./Reporteri.net/