Butoni ‘Like’ – Një revolucion digjital që ndryshoi botën

Interneti nuk do të ishte i njëjtë sot pa butonin e famshëm “Like” – ikona me gishtin e madh lart, e cila ka evoluar në simbolin kryesor të njohjes dhe shpesh të varësisë në platforma si Facebook. Ky buton, që nisi si një klikim i thjeshtë, ka transformuar mënyrën se si njerëzit shprehin emocionet dhe bashkëveprojnë në internet.

Në një libër të ri titulluar “Like: The Button That Changed the World”, autorët Martin Reeves dhe Bob Goodson zbulojnë sesi ky buton u shndërrua nga një ide e thjeshtë në një fenomen global.

Frymëzimi për këtë simbol daton që nga koha romake, kur publiku në Koloseum shprehte mendimin mbi fatin e gladiatorëve, duke përdorur gishta lart ose poshtë.

Ky gjest u rikthye në kulturën popullore përmes filmit “Gladiator” të vitit 2000 dhe u bë i famshëm falë personazhit të Fonzit në serialin “Happy Days”. Por, një rol kyç në modernizimin e këtij simboli ka luajtur Bob Goodson, një ish-punonjës i Yelp, i cili më 18 maj 2005 vizatoi një skicë me gishtin e madh lart dhe poshtë për një sistem vlerësimi restorantesh.

Edhe pse Yelp nuk e pranoi propozimin e tij, Goodson bashkëpunoi me Reeves për të hetuar më tej përdorimin dhe origjinën e këtij simboli. Ndërkohë, Facebook, edhe pse nuk ishte krijuesi i butonit “Like”, e prezantoi atë për herë të parë më 9 shkurt 2009, pas blerjes së rrjetit konkurrues FriendFeed.

Në fillim, ideja ishte që butoni të quhej “Mrekullueshëm”, por u refuzua për shkak të ngarkesës së tepërt. Pavarësisht origjinës, pas prezantimit të tij, “Like” u bë një mjet i fuqishëm për mbledhjen e të dhënave dhe krijimin e reklamave të synuara, duke gjeneruar miliarda dollarë për Meta Platforms (Facebook).

Në vitin 2016, Facebook prezantoi reagime shtesë si “Dashuri”, “Haha”, “Uau”, “Trishtim” dhe “I zemëruar”, duke u mundësuar përdoruesve një mënyrë më të pasur për të shprehur emocionet. Megjithatë, ky fenomen ka sjellë dhe pasojat e tij, përfshirë rritjen e varësisë dhe probleme të vetëbesimit, sidomos te të rinjtë.

Psikologët paralajmërojnë për efektet negative të “Like”, ku individët shpesh e lidhin vetëvlerësimin me numrin e pëlqimeve që marrin, duke ushqyer narcizizmin dhe ndjenja inferiore te ata që nuk marrin mjaftueshëm vëmendje.

Reeves e pranon se këto pasojat ishin të paplanifikuara, por gjithashtu të pashmangshme: “Nëse nuk mund të parashikojmë as anët e mira të inovacionit teknologjik, atëherë si mund t’i parashikojmë efektet anësore”.

/GazetaSinjali/

Read Previous

iOS 19 mund të sjellë një veçori që do ta bëjë qasjen në Wi-Fi shumë më të lehtë

Read Next

Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili