Qeveria britanike ka njoftuar se do të blejë 12 avionë luftarakë F-35A që mund të mbajnë armë bërthamore taktike, duke e përshkruar këtë si rritjen më të madhe të aftësisë së saj parandaluese bërthamore në një brez.
Deklarata thotë se blerja e avionëve të tillë nga Lockheed Martin mund t’i lejojë Forcave Ajrore Britanike të mbajnë armë bërthamore për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, raporton Reuters.
“Në një epokë pasigurie radikale, nuk mund ta marrim më paqen si të mirëqenë, prandaj qeveria ime po investon në sigurinë tonë kombëtare”, tha kryeministri britanik Keir Starmer në një deklaratë të lëshuar të martën.
Qeveria britanike tha se blerja e avionit do t’i lejonte asaj të kontribuonte në të ashtuquajturit avionë me aftësi të dyfishta të NATO-s, të aftë për të mbajtur armë bërthamore në rast konflikti.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se “ky është një tjetër kontribut i fortë britanik në NATO”.
Fuqia parandaluese bërthamore e Britanisë aktualisht mbështetet vetëm në sistemin e raketave Trident të lëshuar nga nëndetëset, i cili dështoi gjatë testimit vitin e kaluar.
Armët bërthamore taktike janë të destinuara për përdorim në fushën e betejës, ndryshe nga armët strategjike të projektuara për lëshim me rreze të gjatë veprimi./reporteri/