Bllokada në Kuvend, ​Zogaj: Nuk ka asnjë përpjekje për të dalë nga ngërçi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj tha se është shenjë e mirë që qytetarët kanë filluar të protestojnë për bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

Pas dështimit për herë të tridhjetë e shtatë të seancës konstituive, Zogaj para gazetarëve tha se fajtori kryesor për situatën e krijuar është partia e cila i ka fituar zgjedhjet e fundit parlamentare.

Sipas tij, brenga më madhe është se nuk ka asnjë përpjekje për të ndryshuar situatën aktuale në Kuvend.

“Edhe sot një dështim i radhës në këtë sagë e në këtë seri të njëpasnjëshme. Po vijmë çdo 48 orë dhe e kemi të njëjtin rezultat. Qytetarët kanë filluar, shoqëria civile ka filluar të protestojë dhe kjo është një shenjë e mirë. Këtë protestë duhet drejtuar tek partia më e madhe në vend, tek fituesja e zgjedhjeve. Për arsye se fajtori kryesor për këtë situatë që e kemi aktualisht është partia e cila i ka fituar zgjedhjet në këtë vend. Brenga jonë më e madhe është se nuk ka asnjë përpjekje për të dalë nga kjo situatë. Pa përpjekje serioze për të dalë nga kjo situatë ne do të jemi kështu edhe në seri të tjera të takimeve”, tha Zogaj.

Ka dështuar për të tridhjeteshtatën (37) herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Seanca e radhës është caktuar të premten (më 27 qershor) në ora 11:00. /KosovaPress/

Read Previous

Rubio: Sanksionet e mëtejshme kundër Rusisë do të pengonin negociatat e armëpushimit në Ukrainë

Read Next

Papa Leoni i bën thirrje Iranit dhe Izraelit të mos ndjekin rrugën e hakmarrjes