Blinken: Hamasi kërkoi disa ndryshime të pazbatueshme në planin e armëpushimit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të mërkurën se lufta në Gaza do të vazhdojë pasi Hamasi ka propozuar “disa” ndryshime në planin e armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja, disa prej të cilave sipas tij janë të zbatueshme, ndërkaq disa jo.

Blinkeni nuk ka përmendur se cilat janë ndryshimet që ka kërkuar Hamasi, raporton AP.

Duke folur para gazetarëve në Katar, ai ka thënë se SHBA-ja dhe ndërmjetësuesit e tjerë do të përpiqen që “ta përafrojnë marrëveshjen”.

Blinkeni po qëndron në Lindje të Mesme për herë të tetë që kur ka nisur lufta Izrael-Hamas, në përpjekje për të ndikuar në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi.

Grupi militant palestinez u ka kthyer përgjigje ndërmjetësuesve të martën për planin e armëpushimit, mirëpo ata kanë kërkuar “amandamentimin” e marrëveshjes. 

Komentet e kryediplomatit amerikan erdhën pasi Hezbollahu i Libanit hodhi një breshëri masive raketash në veri të Izraelit për t’u hakmarrë për vrasjen e një komandanti të lartë, duke përshkallëzuar më tej tensionet rajonale. 

Hezbollahu, një aleat i Hamasit i mbështetur nga Irani, ka shkëmbyer zjarr me Izraelin pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës 8-mujore Izrael-Hamas dhe thotë se ajo do të ndalet vetëm nëse ka një armëpushim në Gaza. 

Kjo ka ngritur frikën për një luftë edhe më shkatërruese rajonale./Koha.net

Read Previous

Përballen me serbët, Rexhaj: Ua thamë troç se Kosova është shtet i pavarur

Read Next

Qazim Laçi: Të japim maksimumin në Evropian