Bizneset paralajmërojnë protesta të reja

Dy ditë përpara hyrjes në fuqi të një vendimi të ZRRE-së, për liberalizimin e tregu të energjisë, bizneset kanë paralajmëruar radikalizim të veprimeve. Pronari i një biznesi i cili numëron 1300 punonjës, Hamdi Malushaj, thotë se bizneset do duhej të ishin ato që duhet të kërkojnë liberalizimin e tregut energjetik dhe jo e kundërta. Malushaj, e ka cilësuar vendimin e ZRRE-së si të padrejtë.

“Pak ma thjesht, jemi kanë tu pagu 100 mijë euro kemi me pagu 300 mijë euro. Ne po i mbrojmë 200 mijë euro tonat. ZRRE e ka marr një vendim pa i rregullu punët e veta. Në këtë rast ata janë bashkë me përfituesin, përfituesi është KESCO edhe tash thjeshtë ne po na qesin prej shpije në rrugë dhe në rrugë ne po takohem sërish me atë që jemi kanë tu ble prej tij, thjesht është duke u ndërtu koncepti plaçkë që dikush qëndron prapa tij,…”, tha Malushaj për rtv21

Zyra e regullatorit ka konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për liberalizimin e tregut të energjisë. Në kundërshtim të këtij vendimi, bizneset në Kosovë të enjten protestuan duke bllokuar hyrjet në kryeqytet. Kryeministri në detyrë Kurti tha se vetëm 1% e bizneseve po protestojnë dhe ua bëri me dije se nuk do të tolerohen barrikadat.

Duke iu përgjigjur akuzave të Kurtit, kryetari i Klubit të Bizneseve, Ilir Ibrahimi, në emisionin Click të RTV21, tha se 1% e këtyre bizneseve përbëjnë 60% të ekonomisë në Kosovë.

“‘Kërkesa ka qenë e biznesve, dhe pjesëmarrja ka qenë masive, ka pasur kërkesa për pjesëmarrje më të madhe, por për shkak të ngjarjeve tjera kemi qenë të limituar. Nëse ka një përgjigje kaq arogante nga Qeveria duke na krahasuar me bandat e Radojçiqit në veri ata që e mbushin sofrën e vendit i krahason me Radojçiqin kjo e tejkalon çdo sens normal, nuk e di ku e merr kryeminstrin guximin me na krahasu me Radojçiqin”, tha Ibrahimi.

Megjithatë, bizneset paralajmëruan se nuk do të ndalen së protestuari deri në shtyrje të vendimit.

“Shqiptari reagon kur i vjen koha, ne do t’i ashpërsojmë protestat tona dhe do ta vazhdojmë këtë betejë deri t’fiton dikush. Në fund të fundit ne do të detyrohemi të largohemi nga Kosova sepse të gjithë jemi kundër këtij vendimi i cili është me hile dhe këtu duhet të reagojnë ata që mund të reagojnë. ZRRE, qeveri, parlament”, deklaroi Malushaj.

Nga vendimi i ZRRE-së, për liberalizimin e tregut energjetik, vlerësohet se do të preken mbi 1300 biznese, të cilat vlerësohet se punësojnë rreth 140 mijë punëtorë. Njohësi i çështjeve të energjetikës, Adhurim Haxhimusa, thotë se bizneset dhe qeveria në detyrë duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët pasi që sipas tij, në fund nga ky vendim do të pësojnë vetëm qytetarët.

“ Është me rëndësi me i dallu efektet, efekti afat shkurtër humbje për biznesin në kontratat afat-gjata me kilentët e tyre. Sepse këto kontrata nuk janë më të negociushme. Ndërsa në afat-gjatë, bizneset mund ta reflektojnë çmimin e energjisë në çmim të produktit të cilin e paguan qytetari. Ndërsa nëse biznesi nuk do të arrijë ta bëjë këtë atëherë ai detyrohet ta lëshojë Kosovën ta gjejë një shtet më stabil ndërsa Kosova ta pësojë me rritje të varfërisë dhe papunësisë”, tha Haxhimusa për rtv21

Aktualisht në Kosovë, janë 21 kompani të licencuara për shitje të energjisë elektrike. Megjithatë, kompanitë kosovare deri më tani ofertë për blerje të energjisë elektrike kanë pranuar vetëm nga KESCO me një çmim 300% më të shtrenjtë nga sa është çmimi i saj aktualisht. /RTV21/21Media

Read Previous

Pas Francës, cilat shtete evropiane po planifikojnë kufizime të reja për duhanpirjen?

Read Next

​Shumica e ukrainasve janë të gatshëm të durojnë vështirësitë drejt fitores