Bislimi takon ministrin e Jashtëm hungarez

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, është takuar me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto, me të cilin folën për fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit.

Bislimi, gjatë takimit e ka falënderuar Szijjarton për mbështetjen e Hungarisë ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, teksa veçoi përkrahjen hungareze në procesin e liberalizimit të vizave.

“Ai veçoi përkrahjen në procesin e liberalizimit të vizave, në pranimin e Republikës së Kosovës si pjesë e UEFA-s gjatë Konferencës së Budapestit në vitin 2016, e cila trasoi rrugën edhe drejt anëtarësimit tonë në FIFA si dhe votën pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO në vitin 2015. U vlerësua lartësisht dhe kontributi i vazhdueshëm i kontigjentit hungarez brenda KFOR-it, në ruajtjen e paqes e sigurisë në vend dhe rajon”.

“Duke theksuar se trendi i vëllimit të shkëmbimit tregtar mes dy vendeve tona është rritur në vitet e fundit, zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se duhet të vijojmë të forcojmë edhe më tej nivelin e bashkëpunimit të ndërsjellë e zgjerojmë format e mundësitë për shkëmbim tregtar e shërbimesh me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, në takim bëhet e ditur se u fol edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës, veçaërisht anëtarësimin e Kosovës në BE, ku u theksua nevoja për ecjen tutje në hapa konkret, teksa për Këshillin e Evropës, Bislimi kërkoi përkrahjen e të gjitha shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Rrugëtimi i Kosovës në procesin e integrimit evropian ishte tjetër pikë thelbësore e bisedave mes palëve. Teksa u theksua bashkarisht rëndësia e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, zëvendëskryeministri nënvizoi angazhimin e vendit tonë në përmbushjen e kritereve, standardeve dhe agjendës së reformave në këtë proces, përfshirë përgatitjet sa i përket Planit të Rritjes, finalizimit të prioriteteve dhe listës së reformave indikative.

“Më tej, zëvendëskryeministri Bislimi rikujtoi aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën tashmë për ecjen tutje në hapa konkret dhe pritjet që Kosova ka edhe nga Presidenca e ardhshme hungareze e Këshillit të BE-së në trajtimin meritor të aplikimit tonë. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi dhe rëndësinë e anëtarësimit tonë në Këshillin e Evropës e ku kërkoi përkrahjen nga secili shtet që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe që e mbështet integrimin tonë drejt institucioneve kryesore ndërkombëtare”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv

Read Previous

Mbyllet protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës me molotov dhe përplasje me policinë

Read Next

Sa ndihmë ushtarake i është dhënë deri më tani Ukrainës?