Qeveria e Kosovës tash e 12 ditë ka vendosur masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, ku që nga ajo ditë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është vendosur në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, kurse bashkë me ta edhe protestuesit që kanë vendosur barrikadat.
Nesër barrikadat dhe Njësia Speciale e Kosovës, pritet të largohen nga pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shefi i delegacionit kosovar në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë zhbllokimi që do të bëhet nesër në këto pika kufitare do jetë e njëhershme, i barrikadës dhe Njësisë Speciale.
“Pasi të jenë kryer të gjitha këto proceduar, në orën 08:00 është paraparë që të fillojë zhvendosja e njëhershme edhe e barrikadës edhe e policisë speciale dhe me këtë kompletohet. Do të thotë, nuk ka sekuencë që njëra palë duhet të tërhiqet para tjetrës, por zhvendosja bëhet në mënyrë të njëkohshme”, ka thënë ai për REL.
Tutje Bislimi ka shtuar se KFOR-i do të vendoset disa orë para se të fillojë zhvendosja e barrikadës dhe Njësisë Speciale. Ai ka shtruar se në rast se nuk respektohen afatet, atëherë marrëveshja do të konsiderohet e pavlerë, kurse pala që nuk e respekton atë tregohet jo bashkëpunuese.
“Nga ana jonë nuk ka tendenca për t’i zhvendosur afatet. Ajo që është me rëndësi të thuhet është se në rast se nuk respektohen afatet, atëherë marrëveshje konsiderohet si e pavlerë dhe pala e cila tregohet jobashkëpunuese do të jetë ajo e cila do të identifikohet si palë bllokuese e dialogut, por nuk ka ndonjë arsye, që të paktën nga ana e policisë, të fillojë zhvendosja. Barrikada është ilegale. Ajo mund të tërhiqet në çdo moment dhe vetëm se do e lehtësonte punën pastaj për nesër, por përndryshe nga ana e njësive speciale të policisë nuk ka kurrfarë arsye, edhe nuk ka logjikë që procesi të fillojë para se të bartet në mënyrë logjistike gjithçka te KFOR-i dhe para se të fillojë edhe tërheqja e barrikadës apo barrikadave”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se nëse Serbia nuk e respekton marrëveshjen do të detyrohen të intervenojnë.
/GazetaSinjali/