Biden pranon të takohet me Netanyahu-n në fund të vitit

Presidenti amerikan Joseph Biden ftoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një bisede telefonike për t’u takuar deri në fund të vitit në Shtetet e Bashkuara.

Ky do të ishte takimi i parë mes dy krerëve të shteteve që nga kthimi i Netanyahu-t në fund të vitit 2022 si kreu i qeverisë izraelite.

Mediat izraelite raportojnë se Biden u përmbajt të ftonte Netanyahun për një vizitë prej shtatë muajsh, sepse Washington-i është i pakënaqur me planin e diskutueshëm të reformës gjyqësore të zbatuar nga qeveria izraelite, transmeton AFP.

Deklarata nga kabineti i Netanyahu-t nuk tha nëse të dy liderët do të takoheshin në Shtëpinë e Bardhë, gjë që Netanyahu kishte shpresuar.

Javët e fundit ka pasur spekulime se ata mund të takohen në margjinat e sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në javën e fundit të shtatorit, kur të dy pritet të jenë në New York.

Biden e bëri thirrjen në një “bisedë të gjatë dhe miqësore”, tha zyra e Netanyahu-t.

Kundërshtimi i opozitës

Ishte biseda e parë mes Biden-it dhe Netanyahu-t në katër muajt e fundit.

Netanyahu e pranoi ftesën dhe u ra dakord të caktohet një datë për takimin.

Kryeministri izraelit informoi Biden mbi një projekt-ligj që koalicioni i tij planifikon të miratojë javën e ardhshme për të kufizuar mbikëqyrjen gjyqësore të vendimeve të qeverisë.

Opozita e Izrael-it e kundërshton fuqimisht atë, por Netanyahu i ka thënë Biden-it se ka ndërmend të përdorë periudhën e pushimeve verore për të mbledhur mbështetje për pjesën e mbetur të reformës së sistemit të drejtësisë.

Ai premtoi diçka të ngjashme me Shtëpinë e Bardhë kur ra dakord të ngrinte zbatimin e planit të reformës në fund të marsit, në mënyrë që të negocionte me opozitën nën ndërmjetësimin e presidentit izraelit Isaac Herzog.

Ato negociata u ndërprenë në qershor dhe Netanyahu vendosi të ndiqte planin në mënyrë të njëanshme.

Protestat po përhapen edhe në ushtri

Një vendim i tillë pati efektin e intensifikimit të protestave masive kundër reformës në të gjithë Izrael-in, të cilat filluan të përhapen edhe në ushtri.

Në ushtri, qindra, dhe ndoshta mijëra, rezervistë aktivë nga njësitë më elitare po kërcënojnë të mos përgjigjen ndaj detyrës vullnetare.

Netanyahu dhe Biden diskutuan gjithashtu masat për rivendosjen e paqes në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku dhuna izraelito-palestineze është intensifikuar që nga fillimi i vitit 2023 dhe ka vazhduar vazhdimisht për më shumë se një vit.

Biseda ishte e treta mes dy liderëve që kur Netanyahu u kthye në pushtet në fund të dhjetorit 2022.

Kur ata folën në mars, Biden shprehu gjithashtu shqetësim për reformën e diskutueshme.

SHBA-të janë shprehur kundër një kufizimi radikal të kompetencave të Gjykatës së Lartë, sepse beson se një reformë e tillë themelore duhet të zbatohet vetëm me mbështetje të gjerë dhe ruajtjen e fuqisë së institucioneve demokratike të Izrael-it.

Plani i reformës bëri që Biden të deklaronte në mars se Netanyahu nuk do të merrte një ftesë për në Shtëpinë e Bardhë së shpejti.

Biden dhe Netanyahu folën një ditë përpara vizitës së presidentit izraelit Herzog në Washington.

Vizita shihet si një tregues se administrata amerikane beson se rëndësia e marrëdhënieve me Izrael-in shkon përtej politikës ditore të qeverisë, sipas mediave izraelite.

/albanianpost/

Read Previous

Lajçak pas takimit me Kurtin: Diskutim i dobishëm për situatën në veri dhe rrugën drejt de-eskalimit

Read Next

Pendarovski për vizitë zyrtare në Shqipëri