Bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese

Me një ceremoni solemne, të enjten është bërë pranim-dorëzimi solemn i detyrës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, ndërmjet kryetares në largim Gresa Caka-Nimani dhe kryetarit të zgjedhur, Nexhmi Rexhepi.

Gjykata Kushtetuese njofton se kjo ceremoni është mbajtur në praninë e përfaqësuesve të lartë shtetëror, të korit diplomatik, organizatave vendore dhe të huaja, akademisë, shoqërisë civile dhe medieve.

Kryetarja në largim, Caka-Nimani theksoi se mbrojtja e Kushtetutës nuk është vetëm detyrë, por edhe akti më i lartë i patriotizmit të çdo qytetari të Republikës së Kosovës, përfshirë shërbyesit publikë, funksionarët e lartë, veçanërish gjyqtarëve të Kushtetueses.

“Në fjalën e saj, Kryetarja Caka – Nimani, pasi shtjelloi rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e vlerave të demokracisë dhe peshën dhe simbolikën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndër të tjera, theksoi që “Mbrojtja e kësaj Kushtetute, nuk është thjeshtë një detyrë. Mbrojtja e kësaj Kushtetute, është akti më i lartë i patriotizmit të çdo qytetari të Republikës së Kosovës, të çdo shërbyesi publik, të çdo funksionari të lartë publik, e veçanërisht – i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Caka-Nimani ka falënderuar kolegët gjyqtarë, stafin e Gjykatës dhe të gjithë partnerët që kanë mbështetur Gjykatën në avancimin e saj ndër vite.

Kurse, kryetari i sapozgjedhur Rexhepi, tha se pavarësia e pushtetit gjyqësor është gurthemel i demokracisë.

“Në fjalimin e tij, Kryetari i zgjedhur i Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi, pasi që falënderoi Kryetaren Gresa Caka – Nimani dhe gjyqtaren Selvete Gërxhaliu – Krasniqi për shërbimin e devotshëm në mbrojtje të kushtetutshmërisë në vend me rastin e përfundimit të mandatit të tyre, ndër të tjera tha se, “pavarësia e pushtetit gjyqësor është gurthemel i demokracisë dhe është thelbësore për sendërtimin e parimit të ndarjes së pushteteve, për materializimin e sundimit të ligjit dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Në fund, Rexhepi theksoi se roli dhe detyra e Kushtetueses është të mbrojë dhe ruajë supremacinë e Kushtetutës.

“Ai tutje tha se, “ne të gjithë ndajmë besimin e patundur se, në një demokraci kushtetuese, asnjë pushtet nuk është suprem – vetëm Kushtetuta është supreme. Andaj, roli dhe detyra e Gjykatës Kushtetuese është të mbrojë dhe të ruaj supremacinë e Kushtetutës”. Në fund, ai falënderoi të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese “për besimin e dhënë për të qenë i pari në mesin e të barabartëve”, thotë njoftimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe, mandati i Rexhepit fillon nga 31 dhjetori 2024. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

NATO mund të përdorë një flotë dronësh detarë në Detin Baltik

Read Next

Ismet Bahtijari deklarohet fajtor