Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një pritje zyrtare për një delegacion të gjerë arbëreshësh, me rastin e 580-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.
Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit mbajti edhe një fjalë të rastit, ku u shpreh se ashtu sikur heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i mblodhi dikur përfaqësuesit e krahinave të ndryshme shqiptare, sot është koha për t’u bërë bashkë në përballimin e sfidave të reja.
“Jemi vend i vogël, por me zemër të madhe 580 vite më parë heroi ynë kombëtar Skënderbeu dhe përfaqësues nga krahina të ndryshme shqiptare dhanë besën për të qenë bashkë për ditë të vështira”, tha Begaj gjatë takimit.
Ai po ashtu komentoi se e sotmja është një ditë e veçante për të kujtuar atë moment, sepse sfidat e reja përballohen vetëm duke qenë bashkë, jo vetëm për bashkatdhetarët dhe shqiptarët, por edhe për miqtë dhe partnerët.
“Po jetojmë kohë të vështirë, sapo dolëm nga pandemia, një luftë vijon në Ukrainë, situatë jo e këndshme në Lindjen e Mesme, dhe kjo kërkon të jemi bashkë për të zgjidhur gjërat”.
Ai po ashtu falënderoi fqinjët e Italisë mike, për mundësinë që u ka dhënë arbëreshëve për të mbajtur gjallë identitetin dhe kulturën shqiptare.
Italia, sipas Begajt, është avokatja më e mirë e shqiptarëve për integrimin evropian të vendit.
Më pas Presidenti, bashkë me delegacionin arbëresh do të nisen për në Lezhë për kremtimi i 580-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. /Albanianpost.com