Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pranuar sot Letrat Kredenciale të ambasadorit të ri të Italisë në Shqipëri, Marco Alberti. Gjatë takimit, presidenti Begaj shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve shqiptare për të mbështetur ambasadorin Alberti në përmbushjen e detyrave të tij diplomatike gjatë mandatit në Tiranë.
Në bisedë, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, duke u theksuar angazhimi për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve, i bazuar në lidhjet historike, ekonomike dhe kulturore. Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria dhe Italia kanë zhvilluar një dialog intensiv dhe pozitiv në të gjitha fushat e bashkëpunimit, me fokus të veçantë në forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe mbështetje të përbashkët për perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Shqipëria do të jetë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e Italisë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së dhe për rolin e saj proaktiv në mbrojtjen e perspektivës së Shqipërisë për anëtarësim në BE”, tha Presidenti Begaj.
Takimi u shoqërua edhe me një diskutim mbi rolin e arbëreshëve në Italinë e cila ka shërbyer si një urë lidhëse mes dy kombeve. Po ashtu, u vlerësua integrimi i shqiptarëve në Itali, si dhe kontribuimi i bizneseve italiane në Shqipëri dhe shkëmbimet turistike që ndihmojnë në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. /RTSH/