Begaj bisedë telefonike me Osmanin, dënon aktet terroriste mbi Kanalin e Ibër-Lepenc

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas shpërthimit në kanalin ujitës të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Zyra për shtyp e presidencës bën me dije se Begaj dënoi ashpër aktet terroriste që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare të saj. Ai mbështeti Kosovën për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepencit që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës  kritike të Kosovës e cënon sigurinë kombëtare të Kosovës. Presidenti mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”, njoftoi zyra për shtyp e presidentit Begaj.

Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk shkaktoi viktima. Kanali ujitës furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës si dhe Korporatën Energjetike për ftohjen e termoeletranave të saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për “sulm kriminal dhe terrorist“, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Pas këtyre sulmeve, Policia e Kosovës tha të premten se ka shtuar masat e sigurisë në Kosovë, përfshirë në pjesën veriore të shtetit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur “disa sulme apo incidente serioze kriminale”./tvklan.al

Read Previous

Shefi i EULEX-it: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc

Read Next

Përmbytjet zhvendosin 122,000 njerëz në Malajzi