Begaj: Anëtarësimi në NATO e ktheu Shqipërinë në përkatësinë e vet perëndimore

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përkujtuar 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ku më 1 prill 2009, vendi u bë anëtar me të drejta të plota i NATO-s.

Sipas Begajt, kjo ngjarje historike ka kthyer Shqipërinë në përkatësinë e vet perëndimore.

Përmes një mesazhi publik, Begaj shkruan se data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës.

“Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin”, shkruan ai.

Më tej, kreu i shtetit përmend se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Ai ka shprehur mirënjohjen ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve strategjikë, të cilët e mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.

Në 15 vite pjesë të aleancës, Shqipëria ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën euroatlantike sipas presidentit.

Ai nuk ngurroi edhe të shprehte krenarinë për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje.

“Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, e përmbyll ai mesazhin.

Në 15 vjet pjesë e organizatës, Shqipëria ka arritur të jetë në nivelin e kërkuar nga Aleanca më e madhe ushtarake në botë, duke vënë në gatishmëri trupat e saj për misionet e nevojshme dhe të kërkuara.

Mbi të gjitha, vendi ka arritur tashmë që të alokojë nga buxheti i shtetit kuotën e përcaktuar prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për Mbrojtjen.

Në vitet e fundit, pozita strategjike e Shqipërisë është rritur gjithashtu, ku së fundmi është reflektuar edhe me hapjen e një baze ajrore në Kuçovë, e cila operohet nga NATO-ja.

Interesa janë treguar edhe për hapjen e një porti detar për qëllime ushtarake të NATO-s në zonën e Pashalimanit, apo edhe të Porto Palermos, me propozim të Qeverisë shqiptare. /Albanianpost.com

Read Previous

Osmani kujton masakrën e Lybeniqit: Regjimi gjenocidal i Serbisë dëshmoi barbarinë e tij

Read Next

SHBA-të e quajnë Shqipërinë aleate të domosdoshme, në 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO