SHBA-të e quajnë Shqipërinë aleate të domosdoshme, në 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO

Për SHBA-të, Shqipëria është një aleate e domosdoshme në NATO, e cila ka kontribuar ndjeshëm në mbrojtjen kolektive dhe stabilitetin rajonal.

Kështu theksohet në një publikim të Ambasadës Amerikane në Shqipëri, në të cilin edhe urohet 15-vjetori i anëtarësimit të vendit në Aleancë.

“Gjatë 15 viteve të fundit, Shqipëria ka dëshmuar të jetë një aleate e domosdoshme, duke kontribuar ndjeshëm në mbrojtjen tonë kolektive dhe stabilitetin rajonal. Si një partner i palëkundur, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë thellësisht lidhjet e forta që ndajmë me Shqipërinë”, shkruhet në njoftim.

Një mesazh ndërkaq për 15-vjetorin e anëtarësimit e ka dhënë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili e ka etiketuar çastin historik si një ngjarje që e ka kthyer Shqipërinë në përkatësinë e vet perëndimore.

Sipas Begajt, kjo ngjarje historike ka kthyer Shqipërinë në përkatësinë e vet perëndimore.

Përmes një mesazhi publik, Begaj shkruan se data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës.

“Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin”, shkruan ai.

Më tej, kreu i shtetit përmend se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Ai ka shprehur mirënjohjen ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve strategjikë, të cilët e mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.

Në 15 vite pjesë të aleancës, Shqipëria ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën euroatlantike sipas presidentit.

Ai nuk ngurroi edhe të shprehte krenarinë për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje.

“Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, e përmbyll ai mesazhin.

Në 15 vjet pjesë e organizatës, Shqipëria ka arritur të jetë në nivelin e kërkuar nga Aleanca më e madhe ushtarake në botë, duke vënë në gatishmëri trupat e saj për misionet e nevojshme dhe të kërkuara.

Mbi të gjitha, vendi ka arritur tashmë që të alokojë nga buxheti i shtetit kuotën e përcaktuar prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për Mbrojtjen.

Në vitet e fundit, pozita strategjike e Shqipërisë është rritur gjithashtu, ku së fundmi është reflektuar edhe me hapjen e një baze ajrore në Kuçovë, e cila operohet nga NATO-ja.

Interesa janë treguar edhe për hapjen e një porti detar për qëllime ushtarake të NATO-s në zonën e Pashalimanit, apo edhe të Porto Palermos, me propozim të Qeverisë shqiptare. /Albanianpost.com

Read Previous

Begaj: Anëtarësimi në NATO e ktheu Shqipërinë në përkatësinë e vet perëndimore

Read Next

Trupat izraelite tërhiqen nga spitali më i madh i Gazës