Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka pritur në Aarhus krerët e Bashkimit Europian dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në një takim të nivelit të lartë për të shënuar fillimin e Presidencës daneze të Këshillit të BE-së.
Në qendër të diskutimeve ishte mbështetja për Ukrainën, si dhe rruga e këtij vendi drejt integrimit europian.
Frederiksen deklaroi se Ukraina është pjesë e së ardhmes europiane, duke theksuar se “Ukraina i përket Bashkimit Europian. Është në interesin si të Danimarkës ashtu edhe të Europës. Prandaj, Presidenca daneze e BE-së do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.”
Ndërsa kryeministrja nuk përmendi drejtpërdrejt Ballkanin Perëndimor, në prezantimin e prioriteteve u konfirmua se Presidenca daneze ka në plan të avancojë negociatat e zgjerimit edhe me rajonin tonë.
Kjo u theksua edhe nga Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, i cili tha: “Mund të mbështetemi te Presidenca daneze për të çuar përpara negociatat me Ukrainën, dhe gjithashtu me Moldavinë dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.”
Temat kryesore të takimit përfshinë edhe rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, bashkëpunimin me industrinë e mbrojtjes ukrainase dhe sanksione të reja ndaj Rusisë.
Frederiksen u shpreh: “Ne duhet ta forcojmë Ukrainën. Dhe duhet ta dobësojmë Rusinë. E para duke rritur mbështetjen ushtarake. Ukraina është thelbësore për sigurinë e Europës. Kontributi ynë në Ukrainë është gjithashtu një mbrojtje e lirisë sonë. E dyta, ne do ta arrijmë me sanksione. Ne duhet të rrisim presionin mbi Rusinë.”
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, theksoi mbështetjen për axhendën daneze: “Si arritje e parë e Presidencës suaj, ju mund ta çoni paketën e 18-të në vijën e finishit.”