BE-ja inkurajon Kosovën për liberalizim gradual të tregut të energjisë

BE-ja thotë se, nëse përmbushen kushtet, do të ndihmojë transicionin drejt tregut të liberalizuar të energjisë me 28.2 milionë euro

Bashkimi Evropian vlerëson se Kosova duhet gradualisht të liberalizojë tregun e energjisë, duke u larguar nga Marrëveshja ekzistuese për furnizim të energjisë me shumicë mes KEK-ut dhe KESCO-s, pasi kjo marrëveshje është në kundërshtim me ligjet dhe rregullat edhe të tregut të BE-së edhe atij rajonal. Por ky transicion kritik për Kosovën, të cilin BE-ja thotë se do ta ndihmojë financiarisht, duhet të menaxhohet me kujdes në mënyrë që të zvogëlohen pasojat sociale dhe ekonomike.

Këtë e ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian duke u përgjigjur në pyetjet lidhur me hyrjen në fuqi të vendimit sipas së cilit kompanitë mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim në Kosovë duhet të furnizohen në tregun e lirë. Po ashtu këto janë përgjigje edhe në pyetje nëse ka qenë BE-ja ajo që ka kërkuar nga Kosova një liberalizim të tillë të tregut.    

“Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë duke skaduar gradualisht Marrëveshjen për tregti të energjisë me shumicë (BSA) mes KEK (Korporata Energjetike e Kosovës) dhe KESCO (Kompani e Kosovës për shitjen dhe shpërndarjen e energjisë) është i domosdoshëm që Kosova të kyçet në tregjet rajonale të energjisë dhe të BE-së. BSA është në kundërshti me legjislaturën e vendosur nga BE dhe nga Komuniteti i energjisë, sikur se është edhe në mospërputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe ndihmave shtetërore”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Komisionit Evropian.      

“Ne inkurajojmë Kosovën që gradualisht të liberalizojë tregun, që ofron dobi domethënëse. Tregjet e liberalizuara dhe të ndërlidhura rrisin sigurinë energjetike dhe parashikueshmërinë tregtare. Kjo mundëson integrimin e energjisë së re ripërtëritëse dhe bën shtytje për përmirësimin e efikasitetit të rrjetit, që në fund çon në zvogëlimin e çmimeve për konsumatorët dhe bizneset”, thuhet më tej në këtë përgjigje.

BE-ja pastaj shprehet e gatshme që ta mbështesë këtë transicion edhe me mjete financiare.

“Për të mbështetur këtë tranzicion kritikë, BE do të japë 28.2 milionë euro përmes Mjeteve për Reforma dhe rritje, nëse kushtet për pagesat përmbushen. Kjo do të ndihmonte në kalimin e lehtë nga një sistem tepër të rregulluar në një mjedis më konkurrues, duke menaxhuar me kujdes transicionin për të zvogëluar çrregullimet sociale dhe ekonomike”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian./Koha.net

Read Previous

Ukraina thotë se ka goditur me eksplozivë urën që lidh Rusinë me Krimenë

Read Next

Osmani nga “Defender 25”: Kosova e gatshme për anëtarësim në NATO