Bashkimi Evropian dështimin e takimit të 14 shtatorit ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it ia faturoi Kosovës, meqë sipas Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pala kosovare refuzoi planin e saj për zbatimin e Marrëveshjes Bazë ndërsa Serbia e pranoi.
Megjithatë Luan Dalipi – shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, mendon ndryshe.
Sipas Dalipit, Marrëveshja Bazë po has në pengesa për shkak të refuzimit të Serbisë e cila s’po nënshkruan dhe s’po pajtohet për zbatimin e plotë të saj.
“Serbia refuzoi në mënyrë të përsëritur të nënshkruajë marrëveshjen, duke përmendur arsye të ndryshme, duke përfshirë një lëndim të supozuar të dorës nga presidenti i Serbisë. Ai po tallet me të gjithë të përfshirët! Pavarësisht këtyre sfidave, Këshilli Evropian miratoi konkluzionet më 23 mars, duke përshëndetur marrëveshjen”, shkroi ai në platformën sociale “X”.
“Serbia më vonë e shkeli marrëveshjen duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Kosova's commitment remains strong for stability in the Western Balkans. EU's treaty to normalize Kosova-Serbia relations is facing hurdles because of Serbia’s refusal to sign & agree to the implementation of the agreement in full. 1/3
— Luan Dalipi (@DalipiLuan) September 16, 2023
Në dritën e kësaj Kosova, sipas Dalipit, me të drejtë kërkon një plan të balancuar të sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes, ndërsa Serbia rrezikon ujdinë duke insistuar në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si parakusht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pas takimit në Bruksel se i vetmi që shkoi me propozim të shkruar në tavolinë ishte ai, por një ditë më vonë Kurti u përgënjeshtrua kur në media u publikua dokument-propozimi i shkruar nga Bashkimit Evropian.
Pasi u publikua sekuencimi i implementimit të Marrëveshjes Bazike nga BE-ja përmes një dokumenti njëfaqësh, duke u përgënjeshtruar kështu kryeministri, Albin Kurti, i cili tha se BE s’kishte plan të shkruar fare, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi ka dalur me një arsyetim.
Ai tash thotë që është e vërtetë që BE ka pasur një plan të shkruar dhe se ai u është prezantuar qysh nga data 19 korrik, prandaj nuk përbën dokument të ri.
Kësaj, sipas Bislimit, i është referuar Kurti kur tha se BE s’kishte propozim në dokument.
“Drafti i fundit për sekuencimin e implementimit të Marrëveshjes Bazike na është shpërndarë neve shefave negociator me 19 korrik, Ofronte një modifikim margjinal nga drafti paraprak. Me 14 shtator në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, veç Kurti ka propozuar një draft të ri”, shkroi Bislimi në rrjetin social X.
Ai ka vazhduar me komentin e tij, duke thënë se Bashkimi e Serbia janë në një anë dhe po propozojnë të njëjtën gjë.
“BE dhe Serbia kanë prezantuar asgjë më shumë pos akomodim të kërkesave të Serbisë që fokusohet vetëm në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, shkroi zëvendës-kryeministri i Kosovës që është edhe krye-negociator në Bruksel.
Plani për implementimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë i BE-së përmend që zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e Komunave.
Paralelisht Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.
Pastaj do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.
Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.
Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit.
Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve kombëtare.
Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.
Formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë do ta përbënte hapin e radhës, pasuar nga aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme.
Serbia, pas kësaj, nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të kompletonte procedurën e brendshme për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.
Po ashtu, sipas propozimit të BE-së, do të vendosej një grup i veçantë i punës, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, për implementimin e neneve të marrëveshjes.
Kurse, pas kësaj, do të pasonte organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e projekteve nga palët.
Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve. /Albanianpost.com