Barduani: Zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë s’duhet të jetë me mjete ushtarake, por me dialog

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë s’duhet të jetë me mjete ushtarake, por me dialog.

Sipas tij, historia gjithmonë ka treguar se dialogu është çelësi për zgjidhjen e shumicës së çështjeve.

Duke shtuar se, “konflikti lind aty ku mungon dialogu”, teksa theksoi se “kjo vlen edhe për Kosovën”.

“Natyrisht, KFOR-i nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të vazhduar zbatimin e misionit të tij bazuar në mandatin tonë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjithëve. Por përpjekja ushtarake do të mbetet gjithmonë e paplotë nëse Kosova dhe Serbia nuk angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe, në një perspektivë më të gjerë, të komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Barduani në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Ai i pyetur për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, ka thënë se qëndrimet e tyre për këtë çështje janë tashmë të qarta.

Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim me komunitetin ndërkombëtar.

“Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga shpalljet dhe veprimet një paleshe që mund të krijojnë tensione. Kështu, ne do të vazhdojmë të jemi vigjilentë dhe të koordinojmë ngushtë me të gjithë partnerët tanë për të parandaluar çdo eskalim”.

Ndërsa, ka shtuar se prioriteti i KFOR-it është që të vazhdojnë të kontribuojnë për sigurinë dhe stabilitetin.

“Për këtë qëllim, ne duhet të ruajmë gatishmërinë operacionale të KFOR-it për të përballuar çdo sfidë sigurie që mund të shfaqet. Por më lejoni të shtoj se, përveç përgatitjes operacionale, gjithashtu bashkëpunimi i fortë dhe komunikimi i rregullt dhe i bazuar në besim me partnerët tanë lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë janë thelbësore për stabilitetin rajonal”.

Komandanti i ri i KFOR-it, Enrico Barduani, gjatë muajit tetor është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti e ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me të cilët çështje diskutimi e ka pasur situatën e sigurisë.

Barduani, ka marrë komandën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 11 tetor në një ceremoni të organizuar në Kampin Film City në Prishtinë.

Atij i është dorëzuar komanda nga gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutas, i cili zyrtarisht ka përfunduar mandatin e tij në krye të forcave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Albanianpost.com

Read Previous

Pothuajse gjysma e viktimave të përmbytjeve në Spanjë ishin të moshës 70 vjeç e lart

Read Next

Parashikimi i inflacionit të BE-së do të bjerë