Ndotja e ambientit dhe hedhja e mbeturinave në afërsi të lumit Erenik, gjegjësisht në dalje të Gjakovës në rrugën kryesore që lidh qytetin me rajonin e Rekës së Keqe ka bërë që ky vend të shndërrohet në deponi të mbeturinave. Një gjë e tillë po i shqetëson banorët, shtëpitë e të cilëve janë në afërsi të këtyre mbeturinave. Ata janë shprehur se këto mbeturina po hidhen nga qytetarë të papërgjegjshëm dhe se askush deri më tani nuk është ndëshkuar për këtë dukuri negative.
Banorët thonë se dikur rreth brigjeve të lumit Erenik kanë dalur për ecje dhe rekreacion ndërsa në ditët e sotme për shkak të mbeturinave dhe kundërmimit të erës nuk mund të ecin pa maskë në këtë pjesë.
Ata thonë se kjo pjesë është imazh për qytetin dhe ata që vijnë nga Shqipëria e sidomos nga Bajram Curri. Andaj kërkojnë nga organet kompetente të bëjnë një zgjidhje.
Lidhur me shqetësimin e banorëve ne kontaktuam Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Çabrati” në Gjakovë. Menaxheri i operatives, Xhelal Bellaja është shprehur se menaxhimi i mbeturinave inerte duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe se ne nuk kemi kapacitet apo një kontratë me komunën e Gjakovës për atë pjesë.
Përmes emailit ne kemi kërkuar informata të detajuara edhe nga udhëheqësja e sektorit për menaxhim të mbeturinave, Albana Hana- Bakalli e cila në përgjgjen e saj ka thënë mes tjerash se deponia në fjalë është pastruar dy muaj më parë.
Me lejoni të informoj që deponia ilegale, përgjatë varrezave ka krahu që lidh Rekën e Keqe është pastruar që dy muaj. Sa i përket deponis ilegale tek ura që lidh rajonin e Rekës së Keqe me komunën e Gjakovës, shumica prej tyre janë mbetje inerte, ku sektori I Menaxhimit të Mbeturinave dhe Ambientit në bashkëpunim me Drejtorin e Urbanizmit dhe Drejtorin e Katastrit jemi në proces të verifikimit të pronës për Deponi Inerte Legale . Mbeturinat të cilat janë të amviseris në koordinim me KRM”Çabratin”, do të tërhiqet, si të gjitha deponit tjera që janë tërhequr deri me tash. Sa I përket pyetje suaj për gjoba mandatore, komuna e Gjakovës për muajt Mars, Prill, Maj, Qershor dhe Korrik 2021, ka shqiptuar rreth 20 gjoba mandatorë.
Sipas banorëve të kësaj ane dy vite më parë këtu është bërë pastrimi i deponisë ilegale të mbeturinave, por gjendja vazhdon të jetë e njëjtë përsëri. Kërkesa e vetme e tyre është që të gjithë ata që hedhin mbeturina në hapësirat publike të ndëshkohen konform ligjit për mbrojtjen e mjedisit.