Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) pezullimin e menjëhershëm të vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.
Në një njoftim zyrtar, institucioni ka vënë në dukje se “vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale”.
Sipas Avokatit të Popullit, kjo situatë ka krijuar shqetësime serioze për “përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë”.
Avokati i Popullit gjithashtu ka theksuar mungesën e koordinimit institucional në kohën kur janë marrë këto vendime.
“Këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët”, thuhet në reagim.
Duke ju referuar përgjegjësive që i takojnë Qeverisë në përputhje me legjislacionin në fuqi, Avokati i Popullit ka rikujtuar se “Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes së barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike”.
Institucioni ka apeluar për më shumë përgjegjësi dhe transparencë nga ana e ZRrE-së, duke theksuar se “organet e pavarura si ZRrE duhet të kenë përgjegjësi të shtuar, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse, sidomos kur vendimet prekin interesin publik në masë të madhe”. /Telegrafi/