Sipas nenit 4 të ligjit për persona të verbër kjo kateogori e shoqërisë mbrohet nga të gjitha llojet e shfrytëzimit, diskriminimit, abuzimit, fyerjes, talljes dhe gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre në mënyrë të barabartë me të tjerët bazuar në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Përderisa me nenin 5 rregullohet mënyra e punësimit ku thotë që: të gjithë personat e verbër, të cilët me vendim të Komisionit Mediko-social plotësojnë kriteret e caktuara – kjo nënkupton sigurimin e pjesëmarrjes së tyre aktive, duke ju plotësuar kushtet e favorshme dhe me përparësi.
Por fatkeqësisht kjo e drejtë nuk po i mundësohet tash e 3 vite Sejfedin Avdisë nga fshati Skivjan i Gjakovës. Ai thekson se është i vetmi i verbër me provimin e Jurisprudencës në Kosovë. Ishte punësuar për 6 muaj pranë një avokati nga agjensia e punësimit dhe aty ishte hera e parë dhe e fundit ku ishte punësuar.
Sejfedini Avdija nuk ka lënë derë pa trokitur duke filluar që nga Zyra e Kryeministrit në vitin 2018, Këshilli Gjyqësor, Avokati i Popullit si dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, madje thotë që në hapjen e konkurseve nuk është përfshirë as në rrethin e ngushtë.
Me hyrjen në fuqi të ligjit për aftësim dhe riaftësim kjo kategori e personave presin një përfshirje më të madhe për integrimin e tyre në tregun e punës.
Sipas tij, kjo kategori e personave në Kosovë është ndër më të diskriminuarat por shpreson që kjo situatë të ndryshojë së shpejti.