“Avancimi i rrugës evropiane të Shqipërisë mund të nxisë zhvillime pozitive edhe në Kosovë”

Avancimi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Evropian mund të nxisë zhvillime pozitive për tërë rajonin, posaçërisht në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ka vlerësuar njohësja e integrimeve evropiane, Tefta Kelmendi, në një analizë të publikuar të enjten në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR).

“Nga një perspektivë rajonale, mbështetja e integrimit të Shqipërisë në BE do të forconte përpjekjet e vazhdueshme për të nxitur bashkëpunimin dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kjo mund të nxisë zhvillime pozitive në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, të cilat gjithashtu janë në procesin e anëtarësimit”, ka vlerësuar ajo.

Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit në tetor të vitit 2024. E suksesi i Shqipërisë, në bazë të analizës, mund të rikthejë besueshmërinë në procesin e zgjerimit për vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore, krahas përmirësimit të stabilitetit politik dhe ekonomik për vetë Shqipërinë.

“Shqipëria, ndryshe nga disa nga fqinjët e saj rajonalë, është e çliruar nga trashëgimia e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe ka marrëdhënie të mira me vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Kelmendi në analizë, duke shtuar se avancimi i integrimit të Shqipërisë përkrah Malit të Zi mund të jetë shtysë për vendet tjera.

“Komisioni i ri Evropian paraqet një mundësi për të ndërtuar një momentum të fuqishëm në adresimin e çështjeve të pazgjidhura në rajon: prapakthimi demokratik dhe avancimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE janë çështje të dukshme”.

BE-ja i ka siguruar vendet e Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre qëndron në BE, por nën kushtin që t’i zgjidhin çështjet e hapura, kryesisht Kosova dhe Serbia. E për t’iu dhënë shtysa në këtë drejtim, ajo vazhdimisht ndan edhe mjete financiare për rajonin. E fundit është paketa e rritjes prej 6 miliardë eurosh për lehtësimin e reformave.

“Plani i Rritjes dhe Tregu i Përbashkët ndihmojnë gjithashtu në krijimin e kushteve për rritje të qëndrueshme. Në këtë kuadër, përkushtimi dhe progresi i Shqipërisë e bëjnë Shqipërinë shembull të një vendi kandidat, i cili ambiciet për anëtarësim i ka shfrytëzuar si një katalizator efektiv për reformën demokratike”, ka shtuar Kelmendi.

Ndryshe, në procesin e zgjerimit aktualisht ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka pranuar pyetësorin për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, ndonëse ka dorëzuar aplikimin zyrtar në dhjetor të vitit 2022. /Albanianpost.com

Read Previous

Rekordi i Elon Musk, njeriu i parë në histori me pasuri personale mbi 400 miliardë dollarë

Read Next

​Maqedonci pret me ceremoni zyrtare homologun e Letonisë