Kancelari austriak, Christian Stocker, ka deklaruar të shtunën se vendi i tij planifikon të shtrëngojë ligjet kombëtare për posedimin e armëve të zjarrit, pas tragjedisë të disa dite më parë në një shkollë të mesme në qytetin austriak të Grazit, ka raportuar Reuters.
Tek ka folur për radion ORF, Stocker ka thënë se Qeveria synon të vendosë rregulla më të rrepta rreth posedimit dhe blerjes së armëve, pasi një 21-vjeçar austriak vrau dhjetë persona në një shkollë të mesme në qytetin e Grazit të martën, përpara se të vriste veten.
Masat e planifikuara do të marrin parasysh çështje si kërkesat për moshën dhe mënyrën e trajtimit të disa llojeve të armëve, ka thënë Stocker në një pjesë të një interviste që pritet të transmetohet më vonë gjatë ditës.
Kabineti planifikon të miratojë masat të mërkurën, ka thënë një zëdhënës i zyrës së kancelarit.
Propozimet përfshijnë forcimin e ekspertizës psikologjike në shkolla, rritjen e pranisë policore atje, përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave mes autoriteteve dhe ashpërsimin e kufizimeve për individët që konsiderohen si të rrezikshëm.
Policia e kishte përshkruar sulmuesin si një person introvert dhe lojtar i pasionuar pas lojërave elektronike me armë, i cili ishte tërhequr pothuajse krejtësisht nga jeta sociale përpara se të planifikonte sulmin.
Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar se çfarë e shtyu atë të ndërmerrte sulmin vdekjeprurës./Koha.net