Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë ka zbuluar të hënën e 4 nëntorit se asnjë person nuk ka rezultuar i prekur nga gripi i shpendëve në vendin tonë.
“Nga data 30 tetor deri në 3 nëntor 2024, në ISUV kanë mbërritur dhe janë analizuar 90 mostra zyrtare, të cilët janë testuar me metodën e akredituar dhe të avancuar molekulare RT-PCR. Kampionet në njerëz të marra janë testuar nga Instituti i Shëndetit Publik, dhe kanë rezultuar negative”, thekson njoftimi i institucionit.
Vatra e gripit të shpendëve (H5N1) u zbulua fillimisht më 2 nëntor në fshatin Mëzez, në Tiranë.
Me urdhër të Ministrisë së Bujqësisë u ndalua lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz.
“Përgjatë fundjavës, në datat 30 tetor – 3 nëntor 2024, grupe ditore me përbërje të shtatë veterinerëve zyrtarë të shërbimit dhe kontrollit, janë angazhuar në terren, sipas përcaktimeve të perimetrit të zonës së mbrojtjes dhe mbikëqyrjes për: inventarizimin dhe monitorimin klinik të 2 mijë e 304 fermave, në të cilat mbarështohen 96 mijë e 900 shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme”, vijon deklarata zyrtare.
Situata e gripit të shpendëve është nën monitorim dhe kontroll, nga zinxhiri institucional i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për zbulimin dhe kufizimin e hershëm të përhapjes së virusit H5N1, garantojnë autoritetet.
Sipas tyre, masat kufizuese dhe parandaluese do të jenë në fuqi deri në përfundimin e afatit të karantinës, si dhe Qendrat Kombëtare dhe Rajonale të Krizës do të vazhdojnë koordinimin dhe funksionin e tyre deri në mbylljen e rasteve, pa rekurenca. /Albanianpost.com