ASK prezanton planet për regjistrimin e popullsisë

Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë ( ReKos 2024) ka filluar nga data 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

Për javën e parë të këtij procesi, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në një konferencë për media do të prezantojë ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë.

Për procesin e regjistrimit të popullsisë në terren, do të flasë U.d Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati.

“Regjistrimi i Popullsisë është një proces tejet voluminoz dhe kompleks që kërkon mbështetjen dhe përfshirjen e të gjithëve. Kjo konferencë mbledhë të gjithat palët e përfshira, si dhe palët e interesit që mund të kontribuojnë në këtë proces për ta lehtësuar punën në terren të Regjistrimit të Popullsisë”, njofton ASK.

Konferenca mbahet në ambientet e ASK-së, duke filluar prej orës 10:00.

Në Projektin e Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024) janë angazhuar rreth 3500 regjistrues dhe rreth 900 mbikëqyrës. Numri i mbikëqyrësve dhe regjistruesve në secilën komunë përcaktohet në varësi të numrit të popullsisë dhe shtrirjes hapësinore të Zonave Regjistruese (ZR).

ASK u ka dërguar edhe mesazhe telefonike qytetarëve për t’i njoftuar lidhur me këtë proces.

ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh. Gjatë këtij procesi do të aktivizohet edhe një lojë shpërblyese. Cilido qytetar që qëllon më së afërmi numrin e popullsisë do të fitojë 10 mijë euro.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë./Reporteri.net/

Read Previous

Nisin zjarret në Greqi, mbi 70 vatra, digjen tre banesa dhe 200 hektarë pyje

Read Next

Sulmi në Zaporizhzhia rrit rrezikun për incident serioz nbërthamor, OKB del me apel