Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë në Fushë-Kosovë dy persona të dyshuar se kanë kryer vjedhje të rënda. Ndërkohë që në shtëpitë e tyre janë gjetur gjësendet që lidhen me rastin, ndërkohë që ka hasur edhe një femër 19 vjeçare të kërkuar nga Policia.
“Mbrëmë rreth orës 22:30 njësitet policore të stacionit të Fushë Kosovës, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje të rënda. Rasti për të cilin është arrestuar i dyshuari: K. A. mashkull, 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka ndodhur me datën 08.04.2021 në një lokal në rrugën “Abedin Sogojeva” në Fushë Kosovë”, zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se gjatë kryerjes së kontrollit në vendbanimin e të dyshuarit, hetuesit policor përveç disa provave materiale që ndërlidhen me rastin e sipër shënuar, kanë hasur në personin e kërkuar nga Gjykata Themelore: M.G. femër, 19 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës .
“Me urdhër të prokurorit të shtetit personi i dyshuar K.A është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa e dyshuara M.G. sipas urdhëresës së gjykatës, është dërguar në Qendrën Korrektuese në Lipjan, për vuajtje të dënimit”, theksoi Ahmeti.