Kryeshefi i “KRU Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar ditën e sotme në Gjakovë.
KALLXO.com mëson se Krasniqi është arrestuar pas një bastisje të prokurorisë në zyret e KRU Gjakovës.
Ky arrestim vjen pasi KALLXO.com, më 09.03.2025, ka publikuar disa audio-incizime në të cilat dëgjohet kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim të një kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë kompaninë për të nënshkruar kontratën, për një tender për servisimin e veturave.
Në ndërkohë pas hulumtimit të publikuar në emisionin “KallxoPërnime”, Prokuroria Speciale zyrtarisht ka filluar hetimet për rastin në fjalë.
Incizimet që janë publikuar në emisionin “KallxoPërnime” dëshmojnë se kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, e ka pranuar para stafit të tij se i ka dhënë instruksione shoferit të tij, Valon Gunga, për të dalë dhe për të gjetur kompani që servisojnë makina.
Ai dëgjohet po ashtu duke thënë se ka shkuar te dy kompani për t’u kërkuar atyre që të ofrojnë vetëm dokumentacionin për nënshkrimin e kontratës, ndërsa punët do t’i kryente dikush tjetër.
Gjithashtu, Krasniqi dëgjohet duke thënë para stafit të tij se “unë do të zgjedh kompaninë” – në lidhje me tenderin për servisimin e veturave të kompanisë. /KALLXO.com/