Policia e Kosovës ka arrestuar në Leposaviq një person nën dyshimin për vjedhje të identitetit. Bëhet fjalë për një burrë me iniciale M.K, i cili del të jetë bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksandar Vulinit.
Policia thotë se ka pasur informacione për kryerjen e mundshme të veprës penale të vjedhjes së identitetit dhe se zyrtarët e njësitit të rregullt të PK-së e kanë ndalaur në territorin e komunës së Leposaviqit dhe më pas të njëjtin e kanë arrestuar.
“Ky person ka dy identitete – një për dokumente serbe dhe tjetri për dokumente të Kosovës”, tha zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai u ndalua për 48 orë.
Në të njëjtën kohë, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit në pjesën veriore të Mitrovicës, ku ka gjetur dhe ka sekuestruar materiale dëshmuese, ka thënë Elshani pa specifikuar se çfarë saktësisht është konfiskuar.
Ndonëse për momentin zyrtarisht akuzohet për vjedhje të identitetit, Elshani thekson se ekziston mundësia që vepra të riklasifikohet varësisht nga rrjedha e mëtutjeshme e hetimeve.
“Dyshohet se i ka marrë të dhënat dikujt, por do të shohim nëse nuk është kështu do të ndryshojë kualifikimi i veprës penale”, tha ai.
M. K. ishte e angazhuar në Rrjetin “Most” për disa vite në postin e gazetarit, gjegjësisht anëtar i këshillit mbikëqyrës të këtij rrjeti. Ai po ashtu njihet edhe si në bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksandar Vulinit dhe një zyrtari në partinë e tij, Lëvizjen Socialiste.
Në kohën kur Vulin drejtonte të ashtuquajturën Zyrën për Kosovë, M.K ishte përgjegjës për marrëdhëniet me mediat në terren. /Reporteri.net/