Policia e Kosovës gjatë bastisjes në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka arrestuar dy zyrtarë të këtij dikasteri.
Dy zyrtarët e arrestuar në MINT janë punonjës të kësaj ministrie që janë përmendur në përgjimet e publikuara nga mediumi Nacionale, nën dyshimin që janë përfshirë në keqpërdorimin e rezervave shtetërore.
Policia e Kosovës është duke zhvilluar një bastisje te Ministria e Tregtisë dhe të Industrisë dhe te banesa dhe një lokal, i afaristit Ridvan Muharremit.
Aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit.
Ndryshe pas më shumë se dy orë kontrolle Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjen te banesa e Ridvan Muharremit, në Prishtinë, ndërsa bastisja e restorantit në pronësi të tij “Bukë e zemër”, po vazhdon ende.
Mahmut Halimi, avokati i Muharremit, ka bërë të ditur se për klientin e tij ende nuk ka fletarrest, duke shtuar se ia kanë dorëzuar Policisë të gjitha provat.
“I ka dorëzuar të gjitha materialet që i kemi përgatitur me kohë, jemi përgatitur për të vërtetën”, ka theksuar Halimi në një deklarim para mediave në vendin ku po zhvillohet bastisja.
Aksionet i Policisë së Kosovës po zhvillohen pas publikimit të disa audio-incizimeve nga mediumi “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.
/albanianpost/