Në Gjakovë janë raportuar dy raste mashtrimi, ku persona të panjohur janë prezantuar rrejshëm si zyrtarë policorë përmes telefonit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarjet kanë ndodhur më 19 gusht 2025, kur të dyshuarit kanë kontaktuar qytetarë të ndryshëm duke kërkuar nga secili prej tyre shumën prej 1000 euro, me pretekste të ndryshme.
Raporti i plotë i Policisë së Kosovës:
Raste të mashtrimit përmes prezantimit të rremë si zyrtar policor
Gjakovë, 20 gusht 2025
Më datë 19.08.2025, në Stacionin Policor në Gjakovë janë raportuar dy raste të ndara, ku persona të panjohur kanë kontaktuar qytetarë përmes telefonit duke u prezantuar rrejshëm si zyrtarë policorë. Në të dyja rastet, personat e dyshuar kanë kërkuar nga dy viktimat e këtyre rasteve që të paguajnë shumën prej 1000 (njëmijë) euro, me pretekste të ndryshme.
Në konsultim me prokurorin e shtetit janë iniciuar rastet si “Prezantim i rrejshëm si person zyrtarë” dhe rasti po vazhdon të hetohet nga njësitë përkatëse policore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë apelon tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Nëse qytetarët pranojnë telefonata të tilla apo tentativa të ngjashme, menjëherë të lajmërojnë policinë përmes numrit 192, ose të përdorin aplikacionin “Lajmëro Policinë”.
Policia apelon tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre tentativave mashtruese. Po ashtu, inkurajon që çdo rast i ngjashëm të raportohen menjëherë përmes numrit 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /tvsyrivision/