Apeli shtyn sërish seancën për Sali Berishën

Apeli ka shtyrë sërish seancën ndaj kërkesës së ish-kryeministrit, Sali Berisha, për të marrë pjesë në seancat plenare, teksa ndodhet në arrest shtëpie.

Avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj, u shpreh se prokurorët nuk ishin të pranishëm në seancë pasi kishin angazhime profesionale.

Sipas tij, ky është një justifikim skandaloz.

“Prokurorët kishin dorëzuar një shkresë në të cilën thuhej se për arsye profesionale, ata nuk mund të ishin prezent. Sigurisht ky është një sebep, një justifikim, ata janë dy prokurorë, të paktën njëri prej tyre duhet të ishte prezent”.

Ai hodhi akuza se, “me angazhimin e Ramës në punët e tjera, kontakti është shkëputur dhe caktuan një datë tjetër derisa të rivendoset SPAK në kontakt me zotin Rama”.

Berisha, është zyrtarisht në arrest shtëpie ku vendimin e ka marrë Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas kërkesës nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Më 21 dhjetor, ishte Kuvendi i Shqipërisë, ai i cili i hapi rrugën Berishës për t’u arrestuar nga SPAK.

Pavarësisht votimit vetëm me votat e mazhorancës, Berisha nuk e ka pranuar këtë vendim parlamentar ndaj tij dhe ndaj, mundet edhe të mohojë gjithë rrethanat e lënies në arrest shtëpie.

Por me çfarë ka të bëjë konkretisht çështja e Berishës?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.

Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.

Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore. /Albanianpost.com

Read Previous

BE: Për herë të parë sanksione ndaj kolonëve izraelitë

Read Next

Basketboll/ Mesjava me përballje interesante në Superligë