Antonelli: Paketa e re që përdorëm në Singapor do të na ndihmojë më shumë për titullin
Fundjava në Singapor ishte shumë e rëndësishme për Mercedes, pasi i ndihmoi të kuptonin më mirë paketën e përmirësimeve të prezantuar në Malajzi. Kimi Antonelli drejtoi makinën Mercedes me përmirësimet e reja, ndërsa George Russell përdori versionin e “vjetër”. Piloti italian ndau mendimet e tij rreth këtij “eksperimenti”.
“Ajo ishte një fundjavë shumë positive, e nisëm me një ritëm të mirë edhe pse unë hasa vështirësi të dukshme me paketën e re. Skuadra bëri një punë të jashtëzakonshme për ta sjellë makinën në një nivel më të mirë performance. Tani e kuptojmë shumë më mirë paketën aerodinamike, si funksionon ajo dhe si ndryshon ndjeshëm nga versioni i mëparshëm”, tha Antonelli.
Më tej, piloti italian tha: “Gjithçka varet nga gjetja e konfigurimit të duhur për makinën. Duket sikur po shohim dritë në fund të tunelit. Do të vazhdojmë të punojmë me këtë paketë, sepse dua ta ndihmoj skuadrën sa më shumë që të jetë e mundur për ta kuptuar atë, si dhe për të përcaktuar drejtimin e duhur për makinën e së ardhmes.”
“Me paketën e vjetër, e di saktësisht se ku duhet ta vendosësh makinën, brenda cilit kufi funksionimi dhe ajo performon shumë mirë. Me këtë paketë të re, e shohim potencialin dhe performancën që ofron, e ndjej këtë në disa kthesa të caktuara. Por, për momentin, hapësira brenda së cilës makina performon mirë është tepër e ngushtë”, shtoi kryesuesi i botërorit.
“Ajo është gjithashtu shumë e ndjeshme ndaj mënyrës se si i qasesh kthesës ose si e nis frenimin. Megjithatë, besoj se kjo paketë do të jetë më e shpejtë dhe mendoj se mund të përbëjë një hap të rëndësishëm përpara, sapo të gjejmë mënyrën për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e saj“, tha Antonelli. /Telesport.al/