Dita e pestë e protestave në Shqipëri, i bëhet thirrje diasporës të bashkohet
Profesori amerikan Edward Joseph ka kritikuar reagimet publike të Bashkimit Evropian ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se Kosova ka të drejtë t’i kritikojë këto institucione dhe të ndryshojë legjislacionin e saj.
Në një deklaratë lidhur me këtë çështje, Joseph tha se Brukseli duhet t’ia përcjellë Kosovës privatisht vërejtjet dhe shqetësimet e tij, pasi kritikat publike, sipas tij, e vështirësojnë dialogun ndërmjet palëve dhe i japin Serbisë mundësi të përfitojë politikisht.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian ka të drejtë të shprehë shqetësime për ndryshimet ligjore, por duhet ta bëjë këtë përmes kanaleve të komunikimit mes palëve.
“Këto çështje duhet të trajtohen në mënyrë private. Nëse kanë shqetësime, dhe është plotësisht e ligjshme që BE-ja të ketë shqetësime dhe vërejtje lidhur me ligjin, atëherë duhet t’i shprehin ato privatisht”, deklaroi Joseph.
Profesori amerikan kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si mungesë reagimi të BE-së ndaj nderimit të kriminelit të luftës Ratko Mladiq në Serbi. Sipas tij, Brukseli duhet ta trajtojë edhe këtë çështje përpara se të kritikojë publikisht Kosovën.
“Serbia po përfiton nga këto kritika publike dhe ka përfituar edhe nga aktgjykimi”, u shpreh ai.
Joseph vlerësoi se mospajtimet për ndryshimet në Ligjin për Specialen nuk përbëjnë domosdoshmërisht një krizë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ai tha se palët duhet të zhvillojnë diskutime për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.
Sipas tij, ekzistojnë mekanizma dhe formate përmes të cilave mund të adresohen këto mospajtime, por BE-ja duhet ta kuptojë se Dhomat e Specializuara nuk janë të përjashtuara nga kritikat.
“Dhomat e Specializuara nuk janë mbi kritikat. Ato nuk janë mbi kritikat”, theksoi Joseph.
Ai rikujtoi se Kosova ka të drejtë t’i kritikojë Dhomat e Specializuara dhe të ndryshojë ligjin, duke iu referuar edhe qëndrimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të drejtën e Kosovës si shtet sovran për të bërë ndryshime ligjore.
Duke komentuar votimin për ndryshimet në ligj, Joseph tha se ato u mbështetën nga një shumicë e theksuar, pavarësisht se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk votoi pro. Sipas tij, procesi pasqyron një konsensus të gjerë në Kosovë, i cili përfaqësohet edhe në grupin punues.
Në fund, ai bëri thirrje që Qeveria e Kosovës të hapë diskutimet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Joseph shprehu bindjen se edhe SHBA-ja mund të jetë e gatshme të shqyrtojë shqetësimet e ngritura nga Kosova, duke theksuar se të njëjtën gatishmëri duhet ta tregojë edhe BE-ja.