Propozimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk parashikon asnjë “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kështu tha për Radio Kosovën, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Ai ka theksuar se Gjermania i gëzohet rezultateve pozitive të dialogut në takimin e Brukselit ku palët deklaruan se pranojnë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Ai theksoi se në dhjetë ditët e ardhshme, Kosova dhe Serbia pritet bëjnë përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes.
Duke folur për planin evropian ai tha se ky propozim i BE-së është një mundësi e madhe për të bërë një hap të madh përpara për arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës dhe kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga palët.
“Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik”, deklaroi ambasadori gjerman në Kosovë.
Ambasadori gjerman duke folur për asociacionin deklaroi se e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet e Kuintit, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës.
“Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi. Ajo që mund të kalojë, për shembull, është ajo që para disa muajsh propozoi një organizatë joqeveritare gjermane: “Fondacioni Friderich Ebert” dhe unë deri më sot, nuk kam dëgjuar askënd, që të më thotë se ky propozim i “Fondacionit Fridirch Ebert” është në kundërshtim me vendimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 2015. Ajo që tani do të kisha dashur, është që Kosova të përmbush obligimin që ka marrë dhe të propozojë vetë një statut për Asociacionin. Kjo është një obligim që ka marrë Kosova dhe jemi në pritje të kësaj iniciative”, tha tutje ai.
Ambsadori Rohde ka thënë në fund se Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, do të takohen më 18 mars në Ohër dhe ne shpresojmë që në dhjetë ditët e ardhshme, të bëhet përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes.
“Shpresojmë deri në fund të muajit, të arrihet një unifikim qëndrimesh në mënyrë që marrëveshja të nënshkruhet. Pra, ka një presion në kohë për t’u arritur kjo, sepse kemi një situate gjeopolitike me një luftë në Evropë, ndikimin e së cilës po ndihet në çdo vend në planin politik dhe ekonomik. Prandaj, kërkojmë që liderët politikë këtu të tregohen të përgjegjshëm për këtë situatë dhe të arrijnë kompromis në të mirë të vendeve të tyre dhe në të mirë të popullatës së tyre”, përfundon ambasadori Rohde. /Gazeta10/