Me rastin e Ditës së Republikës së Italisë, Ambasada e Italisë në Kosovë organizoi një pritje zyrtare më 28 maj në Prishtinë, ku morën pjesë personalitete të larta të jetës politike, institucionale dhe diplomatike të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Ambasadori i ri i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, theksoi se kjo ditë është një simbol i fortë i unitetit kombëtar dhe demokracisë italiane, duke e ndërlidhur këtë me përkushtimin e Italisë ndaj vlerave demokratike në Ballkan dhe posaçërisht në Kosovë.
“Në këto 25 vjet, Italia ka qëndruar përkrah Kosovës me përkushtim dhe qëndrueshmëri, si një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e saj dhe ka ndihmuar në rrugën drejt stabilitetit dhe zhvillimit demokratik,” tha ambasadori Antonini.
Ai vlerësoi rolin kyç të kontingjentit italian në KFOR, duke nënvizuar se është kontingjenti më i madh brenda misionit dhe ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në forcimin e sigurisë në vend.
“Angazhimi ynë i qëndrueshëm është mishëruar në misionin e KFOR-it. Stafi ynë ushtarak ka luajtur një rol thelbësor. Ai është një burim i paçmuar që ka mbështetur Kosovën në përballimin e shumë sfidave gjatë viteve dhe vazhdon ta bëjë këtë me guxim,” theksoi ai.
Ambasadori italian rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e vendit të tij për rrugën euroatlantike të Kosovës, duke përmendur rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor si një strategji e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
“Italia mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Është për t’u vlerësuar përputhja e plotë e Kosovës me politikat e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë – një dëshmi e qartë e përkushtimit të saj ndaj vlerave të përbashkëta,” u shpreh Antonini, duke kujtuar edhe vizitën e fundit në Kosovë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, si sinjal i rëndësisë që i jepet integrimit të vendit në strukturat evropiane.
Pritja u karakterizua nga një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, duke reflektuar marrëdhëniet e ngushta mes Italisë dhe Kosovës dhe angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.