Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, të mërkurën e 31 janarit do të qëndrojë për vizitë në Preshevë dhe do të takohet me kryetarin e kësaj komune, Shqipërim Arifin.
Kështu bëhet e ditur përmes një njoftimi për media nga komuna e Preshevës, por nuk janë dhënë detaje për temat që do diskutohen, meqë pas takimit do ketë konferencë për media.
“Nesër, më datë 31 janar 2023, në Komunën e Preshevës do të jetë për vizitë Ambasadori i SHBA-së, Christopher Hill, nga ora 12:00”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Serbia është duke përdorur mjete jo demokratike, siç është ajo e pasivizimit të adresave të shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi, që t’i largojë nga vendbanimet e tyre.
Ky problem ishte trajtuar edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Serbinë për vitin 2022, ku thuhej se “shqiptarët etnikë ishin subjekt i diskriminimit dhe papunësisë disproporcionale”.
“Udhëheqësit shqiptarë etnikë në Serbi pretenduan se qeveria i nënshtronte në mënyrë disproporcionale shqiptarët etnikë ndaj pasivizimit për të zvogëluar numrin zyrtar të shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi”, thuhej në raportin e DASH-it.
Ndërsa në raportin e Parlamentit Evropian, të vitit të vitit të kaluar, është kërkuar të bëhet një hetim i pavarur dhe i plotë mbi akuzat për keqpërdorim të ligjit për vendbanimin e qytetarëve dhe pasivizimin e adresave të banimit të qytetarëve të etnisë shqiptare në Serbinë qendrore dhe jugore. /Albanianpost.com