Ambasadori francez: Nëse s’ka marrëveshje, rruga drejt integrimit evropian do të bëhet shumë e vështirë

Ambasadori francez në Prishtinë, Olivier Guerot, ka thënë se pret që më 18 mars kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të tregojnë fleksibilitet dhe të arrijnë marrëveshje për aneksin që përcakton procesin e zbatimit të planit të BE-së.

Nëse kjo nuk ndodh, rruga drejt integrimit evropian do të bëhet shumë më e vështirë për të dyja palët, thotë ai.

Propozimi i Bashkimit Evropian, i cili në fillim njihej më shumë si propozimi franko-gjerman, është një përpjekje e përbashkët dhe askush në veçanti nuk e ka të drejtën e autorit, thotë ambasadori, duke thënë se si rezultat i zbatimit të tij, qytetarët e thjeshtë do të kenë përfitime konkrete në shumë fusha.

“Presim që kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë të tregojnë fleksibilitet dhe të arrijnë një marrëveshje për aneksin që përcakton procesin e zbatimit të propozimit evropian. Presim fleksibilitetin dhe përkushtimin e kryeministrit Kurti në formimin e Asociacionit, siç është rënë dakord më parë në Bruksel.

Kosova dhe popullsia e saj, cilit komunitet qofshin ata, do të kishin përfitime konkrete nga marrëveshja në shumë fusha, ku do të kishte progres konkret: uljen e tensioneve, rritjen e sigurisë, përmirësimin e atraktivitetit të gjithë Kosovës për investitorët. Njohja reciproke e të gjitha dokumenteve dhe simboleve kombëtare është vetëm një shembull se si një marrëveshje mund të përmirësojë jetën e përditshme të secilit”, shprehet ai.

Por, çka nëse më 18 mars nuk ka marrëveshje. Guerot thotë se nëse kjo ndodhë,rruga drejt integrimit evropian do të bëhej shumë më e vështirë për të dyja vendet.

“Këto janë tema të vështira dhe këto janë edhe arsyet pse ne mbështesim fuqimisht ndërmjetësimin e BE-së, për të përparuar dhe për të shmangur përsëritjen e tensioneve. Rruga drejt integrimit evropian do të bëhej shumë më e vështirë për të dyja vendet”, ka thënë ai për Kossev.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Lajçak dje takoi edhe Bislimin: Kjo çështje duhet të zbatohet urgjentisht

Read Next

Alarmi nga shkencëtarët: Në oqeane ka mbi 171 trilionë mbetje plastike