Ambasada e Francës: Zbulime të reja në Ulpianë, thesari arkeologjik i Kosovës

Ambasada e Francës në Kosovë ka bërë një njoftim rreth zbulimeve që janë bërë në Parkun Arkeologjik të Ulpianës.

Në njoftimin e tyre thuhet se zbulimet e reja në Ulpianë, janë thesari arkeologjik i Kosovës.

“Pas gati dy muaj të gërmimeve ndërdisiplinore në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, janë bërë zbulime të mëdha në historinë e Dardanisë së lashtë. Nën dyshemenë e katedrales së madhe monumentale (78 x 23 m), e njohur tashmë për mbishkrimin e saj kushtuar Perandorit Justiniani i Madh me origjinë dardane dhe Perandoreshës Theodora, sapo është zbuluar një mbishkrim i dytë dhe më i madh, duke hapur perspektiva të reja për kërkimin historik”.

Tutje, thuhet se “kjo punë po kryhet nga një ekip i jashtëzakonshëm: Profesor Christophe Goddard dhe ekipi i tij nga ENS, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës (Profesor Arben Hajdari) dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës (arkeologu Milot Berisha), me pjesëmarrjen aktive të një përfaqësuesi të Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës (Dr. Ilir Culaj) dhe shumë studentëve të apasionuar.

“Ky projekt është bërë i mundur falë mbështetjes së Bashkimit evropian, Francës dhe Ministrisë së kulturës, rinisë dhe sporteve të Kosovës, të cilat janë të përkushtuara ndaj kërkimit shkencor dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore”./Telegrafi/

Read Previous

DASH mund të kërkojë nga aplikantët për vizë garanci deri në 15 mijë dollarë për të hyrë në SHBA

Read Next

Gjykata Kushtetuese në prag të vendimit, këta janë skenarët e mundshëm