Presidenti francez Emmanuel Macron u përball me reagime të ashpra nga aleatët evropianë dhe një paralajmërim nga Kremlini pasi ai kërkoi dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk kanë plane të dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë.
Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Patrick Ryder, gjatë një konference u shpreh se përpjekjet ndërkombëtare po bëjnë gjithçka që duhet për të siguruar që Ukraina të marrë ndihmat e nevojshme.
“Ne nuk kemi plane të dërgojmë ushtarakë amerikanë për të luftuar në Ukrainë. Presidenti ka qenë mjaft i qartë për këtë, dhe ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë. Për sa i përket ofrimit të ndihmës për Ukrainën, ne kemi punuar shumë. Dhe kjo nuk është vetëm një përpjekje e SHBA-së, është një përpjekje ndërkombëtare.”
Gjithashtu edhe Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby konfirmoi se nuk do të ketë trupa amerikane në terrenin ukrainas. Ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne deklaroi se Parisi mund të dërgonte trupa në Ukrainë për nevoja specifike, por jo për të luftuar në luftën kundër Rusisë.
Kremlini paralajmëroi për “pashmangshmërinë” e konfrontimit midis NATO-s dhe Rusisë nëse trupat do të vendoseshin në Ukrainë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, paralajmëroi në fillim të kësaj jave se forcat ruse, të cilat së fundmi pushtuan qytetin strategjik të Avdiivka, mund të tentojnë një ofensivë tjetër në fund të majit ose në fillim të verës.
Shefi i mbrojtjes holandeze gjenerali Onno Eichelsheim deklaroi se është shumë herët për të folur për trupat tokësore, dhe se presidenti francez i dha të gjitha opsionet ishin “në tryezë. Gjithashtu edhe Zëvendës-kancelari gjerman Robert Habeck hodhi poshtë deklaratat franceze se Ukraina mund të mbështetej me një dislokim të trupave perëndimore, duke i bërë jehonë komenteve të kancelarit Olaf Scholz. Ai bëri thirrje Francës që të dërgojë më shumë armë dhe jo ushtarë.
Nga ana tjetër ushtarët suedezë kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në Ukrainë nëse konflikti do të përshkallëzohet edhe pse kryeministri Ulf Kristersson është shprehur se nuk është planet e afërta të vendit për të dërguar trupa. Këto komente vijnë pasi Suedia kaloi pengesën e fundit për t’u bashkuar me aleancën pasi parlamenti i Hungarisë miratoi pranimin e saj. /tvklan.al