Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media ka folur për rastet e aksidenteve të shumta me fatalitet në Kosovë.
Sveçla ka përmendur rastin e aksidentit tragjik të së shtunës në autostradën “Ibrahim Rugova” ku humbën jetën tre qytetarë dhe aksidentin e mbrëmshëm në Podujevë që rezultoi gjithashtu me një person të vdekur.
Ministri bëri të ditur se në aksidentin e së shtunës, tre qytetarë humbën jetën si pasojë e mbajtjes së garave të jashtëligjshme automobilistike.
“Në rastin e të shtunës, Policia e Kosovës të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme për tejkalim shpejtësie e rrezikim, dhe njërit prej tyre i është konfiskuar patentë shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të këtyre garave”, tha Sveçla.
Ai shtoi se këtë vit që po e mbyllim Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike.
“Me drejtorin e policisë kemi diskutuar për masat që duhet të ndërmerren nga policia në raport me organizmat e garave automobilistike të jashtëligjshme, rritjen e sigurinë në trafik, masat lidhur me neglizhencën e zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të organizimeve të garave të paligjshme”, tha ministri. /Telegrafi/