AKB: Prodhimet vendore në rrezik, produktet serbe po dominojnë tregun e Kosovës

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka reaguar ashpër ndaj rritjes së importit nga Serbia, duke e cilësuar këtë fenomen si një “pushtim të heshtur” ekonomik që kërcënon prodhimin vendor dhe vetë pavarësinë ekonomike të Kosovës.

Sipas të dhënave të publikuara nga AKB, importet nga Serbia janë rritur me mbi 118% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar nga 50.64 milionë euro në 110.53 milionë euro.

“Kosova po përballet me një kthim prapa të rrezikshëm në aspektin ekonomik dhe politik. Importet nga Serbia janë rritur në mënyrë alarmante – nga 50.64 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 në 110.53 milionë euro për të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo rritje prej mbi 118% nuk është thjesht një statistikë ekonomike, por një sinjal i qartë i rikthimit agresiv të produkteve  serbe në tregun tonë dhe i rrënimit të prodhuesve vendorë”, thuhet në një reagim të AKB-së.

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka theksuar se ky nuk është thjesht një zhvillim ekonomik, por një kërcënim i qartë për prodhuesit vendorë dhe për vetë identitetin tonë ekonomik.

“Ky zhvillim është rezultat i heqjes së masave kufizuese ndaj mallrave serbe, vendim i marrë nga Qeveria e Kosovës pa as një kushte në tetor të vitit të kaluar, nën trysninë e faktorit serbë dhe  ndërkombëtar. Pasojat tashmë janë të dukshme: produktet “Made in Kosovo” po zëvendësohen nga ato serbe në rafte, në tregje e në tryezat tona. Kjo situatë nuk është vetëm çështje tregu – është çështje dinjiteti dhe vetëvendosjeje”, thuhet në deklaratën e AKB-së.

Sipas AKB-së, kjo situatë është pasojë direkte e heqjes së masave kufizuese ndaj mallrave serbe në tetor të vitit të kaluar, që sipas tyre vendimi u mor pa kushte nga Qeveria e Kosovës nën presionin e faktorëve ndërkombëtarë dhe serbë.

“Një ekonomi që lejon dominimin e një shteti që ende nuk e njeh pavarësinë tonë, është një ekonomi që rrezikon të bjerë në varësi të një strukture tregtare pa reciprocitet dhe pa kritere të qarta mbrojtëse. Ironikisht, ata që dikur protestonin kundër “maunave serbe” dhe kundër tregtisë së lirë me shtetin që e mohon Republikën e Kosovës, sot heshtin, madje e lehtësojnë hyrjen masive të këtyre mallrave.”, paralajmëron AKB.

Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon urgjentisht ndërgjegjësim qytetar dhe institucional për të mbrojtur prodhimin vendor. Ajo bën thirrje për konsumimin e produkteve vendore dhe për një strategji ekonomike që promovon vetëqëndrueshmërinë e Kosovës.

“Duhet të zgjedhim midis një tregu të lirë dhe një shteti të lirë. Nuk mund të kemi të dyjat nëse nuk vendosim rregulla të barabarta dhe vullnet për t’i zbatuar ato”, përfundon reagimi i AKB-së.

Ndryshe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka reaguar duke thënë se janë keqinterpretuar shifrat./Telegrafi/

Read Previous

Balje: Një anë duhet të lëshojë pe, kemi disa ditë për ta parë

Read Next

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në tentimin e 43-të