Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është i shqetësuar që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e përfaqëson Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel.
Ai deklaroi kështu në Rubikon të Klan Kosovës pasi u pyet për deklaratën e Bislimit i cili ka thënë se gazi në projektin amerikan të gazsjellësit do të vjen nga Azerbajxhani dhe Rusia.
“Për besë, nuk dua të jem kështu arrogant, por nuk mund ta marr seriozisht një vlerësim të tillë, është mungesë totale e njohurive bazike të çështjeve të energjisë dhe sigurisë, kaq mund të them. Sepse jemi edhe në muhabet serioz, nuk mund të jap përgjigje joserioze ndaj një deklarimi totalisht joserioz”.
“Frika ime më e madhe është se kush na përfaqëson në dialog, këtë brengë kam, në qoftë se ka kësi mendësie amatoreske të gabimeve kaq të thjeshta, është frikë e madhe se kush Kosovën sot e përfaqëson në dialog. Me këtë qasje, me këtë nivel të mungesës së njohurive është shqetësuese”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se gazsjellësi është për interesa të Kosovës dhe do ta lidhte atë me vendet e NATO-s.
“Projekti në fjalë është folur për infrastrukturën e Kosovës që ta kenë të qartë qytetarët, do të kishte gypa për lidhje me kanale të furnizimit me gaz të Kosovës sepse infrastruktura e Kosovës për në Shkup ekziston, është një infrastrukturë e vjetër e ish-Jugosllavisë toka nëpër të cilën kalojnë, ka gypa edhe tani ekzistojnë, është e shpronësuar pra kosto e implementimit do të ishte fare e lehtë. Kosova do të siguronte autostradën energjetike lidhjen me një furnizues të gazit, lidhje thelbësore të interesave strategjike të Kosovës, nuk e bëjnë këtë për interesa të Amerikës, por e bëjnë për interesa të Kosovës për lidhje në një rrjet rajonal të vendeve të NATO-s, që e shfrytëzojnë vendet e NATO-s”.
Ai ka kritikuar Qeverinë duke thënë se kanë qenë jo aktiv rreth projektit amerikan të gazsjellësit.
“Unë dua të shoh një strategji afatgjatë të Kosovës, përtej partive politike dhe përtej mandatave. Rreth kësaj çështje e kemi një deaktivizim të plotë të Qeverisë për shtatë muaj, ka tejkalim të çdo afati kohor për të dhënë një përgjigje, për të pasur qartësi, nuk pati asnjë konsultë paraprak si dhe as konsensus politik për të ndërtuar këtë temë me rëndësi”.
Tutje, lideri i LDK-së ka potencuar se po të ishin në Qeveri ata do t’i thonin po gazsjellësit amerikan.
“Si LDK çështja e gazit është e përfunduar, e kemi të qartë rrugën nga ta bëjmë këtë, po të ishim në pushtet do ta bënim këtë dhe as nuk do ta diskutonim këtë çështje. Politika e parë që do ta bëjmë në qeverisje kurdo që vjen ajo ditë është që këtë temë do ta trajtojmë me prioritetin më të lartë”./klankosova.tv/